Takimet e ambasadores së re të SHBA, Yuri Kim, me politikanët shqiptarë kanë sjellë valë kritikash nga qytetarët. Pasi mbërriti në Tiranë, Kim pati takime me disa politikanë dhe zhvilloi një pritje me ta. Ndërsa dje ambasada e SHBA publikoi foto nga këto takimet, ku në sy binin disa foto me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin dhe Presidentin Ilir Meta. Vetë ambasadorja deklaroi se ishte shumë e kënaqur nga këto takime.
“Jam e prekur nga pritja e ngrohtë që kam marrë në Shqipëri. Tani e kuptoj që legjenda për mikpritjen shqiptare është thjesht pohim i një fakti’, u tha Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim të ftuarve në pritjen që ajo organizoi në 30 janar për përfaqësues të komuniteteve politike, diplomatike, të biznesit, shoqërisë civile, medias, kulturës dhe bashkësive fetare”, njoftoi ambasada e SHBA. Por foto dhe ky koment kanë sjellë valë reagimesh. Janë me qindra komente që janë bërë në faqen e ambasadës dhe 99 për qind e tyre kanë qenë kritikë. Aty tregohet qartë irritimi i popullit me politikanët shqiptarë, pa bërë asnjë dallim politik.
Qytetarët i kërkojnë ambasadores që të mos i përkrahë, por të ndihmojë në arrestimin e tyre. Disa të tjerë kanë vënë në pah pasuritë e Metës, Ruçit dhe politikanëve të tjerë. “Në krah të djathte ish -ministrin e Brendshëm që vrau me snajperistë 4 protestues në Shkodër në ditët e para të “demokracisë”, në të majtë shkaktarin e vrasjes po me snajperë të 4 protestuesve që rrinin me duar në xhepa para Kryeministrisë: Fillim i mbarë zonja ambasadore! Urime”, deklaron një qytetar. Të tjerët kërkojnë që të mos ketë asnjë tolerim ndaj tyre. “Bravo e nderuara Yuri Kim që del në foto me komunistë si Gramoz Ruçi, me hajdutin më të madh, e më mafiozin në Ballkan siç është Ilir Meta. Të betuar me ata që na vranë lirinë, demokracinë në 91 dhe na vjedhin pasurinë dhe lumturin e Shqiptarëve. Ata duhet t’i fusni në burg as ma par jo të dilni në fotografi”, tha një tjetër qytetar.
Ndërsa një tjetër u shpreh: “Madam Ambasadore mos jesh shumë e prekur nga kjo mikpritje!! Shumë shpejt këta që të buzëqeshin aq shumë, sapo të fillosh tu çjerrësh maskën do të të lëshohen si UJQËR! Duke të sharë dhe ofenduar!! Kjo nuk besoj është një fenomen i ri në atdheun tim, por ka ndodhur rast pas rasti me ambasadorët Amerikanë!! Dhe jam i bindur që ti je e mirinformuar nga paraardhësit tuaj që kanë shërbyer në Shqipëri. Shpresoj të kesh këmbën e mbarë”.
Irritimi qytetar
Në profilin e ambasadës janë bërë rreth 335 komente dhe të gjithë janë mjaft kritikë. Ajo që bie në sy është se qytetarët kërkojnë ndëshkimin në radhë të parë të presidentit Meta, por dhe të politikanëve të tjerë, si dhe sekuestrime pasurish. “Shko tako popullin normal zonja Ambasadore sepse ata që të ngrohin ty sot, janë pengmarrës dhe kryetrafikantë e vrasës të 3 milion popull Shqiptare. Një politikë që nuk punon për vendin e popullin e vet, nuk mund t’i shërbejë as një kombi apo flamuri tjetër. Nuk ju kuptoj ju diplomatëve a jeni bashkë trafikantë apo jeni me të meta mendore dhe nuk ju shohin sytë?”, thuhet në një tjetër koment. Ndërsa ka nga ata që i shohin takimet e politikanëve me ambasadoren KIM si servilosje.
Sipas tyre, të gjithë po i servilosen nga frika e SPAK. “Këta janë mafia në Shqipëri. Turp që dilni në foto me to. Këta kanë frik nga SHBA andaj edhe servilosen”, shprehet një qytetar. Ndërsa një tjetër komenton: “Me kë rri ti moj zonjë? Ne presim nga ty që t’i vësh hekurat Metës e t’i bën gëzuar me hajdutin”. Ndërsa ka dhe nga ata që vënë në pah pasurinë. “Mikpritje për interes… sepse ato nuk përfaqësojnë popullin shqiptar, por një grusht njerëzish që kanë gjithë pasurin e shqiptarëve e i kanë duart me gjak. Nëse do të dish mikpritjen e vërtetë të popullit shqiptar…shko në një familje të varfër, atje ku ka ngel copa e fundit e bukës…e atë do ta ndajnë përgjysmë me mikun. Ndërsa këto politikanë japin nga interesi e tepricat…!!!!!!!!!”, thotë dikush./Sot/KLITI TOPALLI