Avokati Romeo Kara ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për pushimin e hetimeve mbi aferën e CEZ. Në datën 24 janar, Gjykata e Tiranës mori vendimin për pushimin e çështjes së privatizimit të CEZ. Ky vendim u morr nga gjyqtari Lazer Sallaku, me argumentin se nuk ka vepër penale në rastin e privatizimit, ndaj nuk duhet të vijojnë me hetimet.
Të akuzuar në këtë aferë ishin ish kryeministri Sali Berisha dhe disa ish ministra të tij dhe i biri. Juristi Kara ka qenë i pari që e ka paditur këtë aferë dhe pas pushimit të hetimeve para pak ditësh ai paralajmëroi se do ta ankimonte vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kara bëri me dije se ka ankimuar vendimin për aferën e privatizimit të CEZ, duke shtuar se përballja ligjore do të vazhdojë. Juristi gjithashtu paralajmëroi edhe një nismën për një Lëvizje Popullore për Drejtësi, ku theksoi se përballja me të vërtetën nuk do të zhduket pavarësisht se po tentohet që manipulohet e vërteta. “Sapo depozitova një kërkesë-ankimore, të trajtuar në çdo detaj, drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë, lidhur me pushimin e çështjes së privatizimit të OSSH-së, të pushuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Përballja ligjore do të vazhdojë, të tjera hapa ligjore do të hidhen se shpejti, pa përjashtuar edhe nismën për një Lëvizje Popullore për Drejtësi.
Unë besoj plotësisht tek ajo që bëj dhe tek fitorja e një drejtësie në Shqipëri, pavarësisht kësaj situate në dukje të pashpresë. Drejtësia është hyjnore dhe kurrë nuk do të zhduket, pavarësisht përpjekjeve të zullumqarëve. Secilit prej nesh në këto momente, i takon barra e përballjes, si detyrim ndaj Zotit, vetes, familjes, vendit dhe brezave që do vijnë. Drejtësia patjetër që do të vijë, në momentin që ne do të çohemi nga vendi i ulët i poshtërimit, nga gjunjëzimi dhe dorëzimi pa u përballur”, u shpreh juristi Romeo Kara.
Por çfarë do të ndodhë tani që afera e CEZ u ankimua? Pas ankimimit që bëri juristi i OSHE Romeo Kara, është kërkuar rrëzimi i vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe rikthimin e dosjes për rihetim. Por tashmë që Struktura e Posaçme Antikorrupsion është funksionale, kjo dosje rrezikon që të kaloj për gjykim pranë këtij institucioni. Por me kalimin e dosjes së CEZ në SPAK ish kryeministri Sali Berisha dhe ish ministrat e tij rrezikojnë një përballje të vërtetë me drejtësinë me këtë aferë.