Pronari i kompanisë “Arbi Garden”, Arbër Çekaj, i cili akuzohet se kishte porositur kontejnerin me banane ku u gjetën 613 kilogramë kokainë në seancën e djeshme ka kërkuar që në seancën e ardhshme që do të zhvillohet ndaj tij të jenë të pranishëm përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe të ambasadës gjermane.
Përpara togave të zeza të GJKKO, 39-vjeçari ka thënë se ai është etiketuar si peshku i madh nga ish-ambasadori Donald Lu dhe për këtë ai hedh akuza ndaj prokurorit Edvin Kondili, që sipas Çekajt e ka informuar gabim ambasadorin.
“Ish-drejtuesi i ambasadës amerikane më ka konsideruar peshk të madh, duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë. Kërkoj që e nderuara ambasadë të jetë e pranishme për të kuptuar se kush është peshk i madh dhe kush jo. Kush merret me kokainë e kush me banane”, tha Çekaj, duke ironizuar se kanë investuar shumë në SPAK. Sipas tij nuk ka prova, dhe e gjitha bëhet për të mbuluar gabimet në procedurën e hetimit të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që me dashje apo nga paaftësia, ka humbur gjurmët e vërteta për gjetjen e fajtorit, porositës që mund të jetë brenda ose jashtë vendit tonë, siç ka vërtetuar në raste të tjera para dhe më pas, nga kjo që është në gjykim. Ndërkohë, në bazë të kërkesës së drejtuar gjykatës, prania e ambasadës gjermane në këtë proces gjyqësor lidhet me faktin se shteti gjerman ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ekstradim të Arbër Çekajt, kur ky i fundit ndodhej në arrati me kërkesën bërë shtetit atje, për azil politik.
Avokati i Arbër Çekajt thotë se për një vit 39-vjeçari ka qëndruar në masë arresti me burg edhe në Gjermani ku edhe është hetuar dhe faktuar sipas tij se nuk ka lidhje me trafik të drogës dhe ekstradimi është bërë vetëm me kushtin sipas avokatit, që do të hetohet dhe gjykohet në zbatim të kritereve juridike procedurale që garantojnë siguri në hetim dhe drejtësi në gjykim të tij për akuzën që dyshohet. Por akuza e ngritur sipas avokatit për drogën e gjetur në kontejner që janë transportuar bananet e kompanisë së tij, është e pabazuar në prova. Pas dorëzimit të kësaj kërkese, gjykata shtyu seancën e djeshme. Shkak i shtyrjes për vendimin ndaj Arbër Çekajt është bërë mungesa e dy avokatëve të Donaldo Lushajt, Ardian Visha dhe Arben Prenga. Këta të fundit kishin njoftuar gjykatën me e-mail se ndodheshin në një tjetër proces gjyqësor, por gjykata nuk e ka pranuar kërkesën, duke i gjobitur me 5 mijë lekë të reja si dhe pezulloi afatet e paraburgimit të 3 të pandehurve, Arbër Cekaj, Donaldo Lushaj, Armando Pezaku. Seanca e radhës u caktua të zhvillohet më datë 19 shkurt ora 10:00.
Rreth një muaj më parë, prokurori Edvin Kondili kërkoi 50 vite burg për pronarin e firmës “Arbi Garden”, menaxherin Donaldo Lushaj dhe shoferin e kamionit, Armando Pezaku. Më konkretisht Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar dënimin me 21 vite burg për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë “Arbi Garden” në kontenierët e së cilës ishin fshehur 613 kilogramë kokainë. Për menaxherin Donaldo Lushaj u kërkua shpallja e tij fajtor dhe dënimi me 16 vite burg ndërsa për shoferin Pezaku prokuroria kërkoi dënimin e tij me 13 vite burg. Mësohet se të arrestuarit e 613 kg kokainë do të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit për shkak se ata u gjykuan me gjykim të shkurtuar.
Në këtë mënyrë nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, Çekaj dënohet me 14 vite burg, Lushaj me 10.8 vite, ndërsa shoferi Pezaku me 8.8 vite burg. Gjatë leximit të pretencës prokuroria akuzoi Çekajn si organizator të grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Sipas prokurorit Edvin Kondili, kokaina ishte ngarkuar në momentin që kontejneri ishte dërguar në një servis në Kolumbi, me pretekstin se kishte disa vida për të rregulluar. Prokuroria ka nisur një tjetër procedim me dyshimin se tre të arrestuarit nuk kanë vepruar të vetëm, por pa dhënë ndonjë emër konkret. 39-vjeçari Çekaj i mohoi akuzat e prokurorisë. Ai kërkoi pafajësi, duke u shprehur se prokuroria dhe policia urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim fshehjen e trafikantëve të vërtetë.