Ardian Doçaj, i dyshuar si një nga personat që bashkëpunoi me personat që grabitën Jak Prengën është dorëzuar dje. Menjëherë pas marrjes së informacionit se Operacioni Forca e Ligjit i kishte sekuestruar pasuritë, ai është nisur drejt vendit tonë për të sqaruar pozicionin e tij.
Mësohet se Doçaj është dorëzuar rreth orës 15:30 në pikën kufitare të Hanit të Hotit pasi ka udhëtuar nga Vjena në drejtim të Podgoricës. Kthimin e paralajmëroi ai vetë ditën e djeshme në një komunikim për mediat, teksa nuk ngurroi që të shprehej se ai nuk kishte lidhje me vrasjen e 49-vjeçarit Jak Prenga.
Në pritje të kthimit të tij nga Vjena në doganën e Hanit të Hotit ka qenë i vëllai dhe avokati i tij, Agim Martini. Të dy u shprehën se Doçaj ishte larguar nga vendi që më datën 2 nëntor dhe nuk ishte kthyer më. Gjë që sipas tyre mund të verifikohej fare lehtë me të dhënat e sistemit TIMS në kufi. Anëtari i familjes Doçaj akuzohet se është pjesë e grupit të bashkëpunëtorëve në pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Jak Prengës më 17 janar 2020 pas prishjeve të pazareve të drogës nga vëllezërit e tij në Angli. Ditën e djeshme efektivët e anti-KÇK-së, i kanë sekuestruar Doçit një banesë dykatëshe në lagjen “Bleran” të Shkodrës, 3 automjete luksoze dhe 1 motor.
OFL në vijim, ja kujt i shkuan dje kërkesat
Edhe ditën e djeshme Operacioni Forca e Ligjit ka vijuar, duke dërguar 3 formularë të tjerë personave të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, të cilët do t’u duhet të justifikojnë burimin e pasurisë së tyre që kanë krijuar ndër vite. Formularët u janë dërguar shtetasve Dashamir Gjoka, Emiljano dhe Edlir Hysenaj, të cilët dyshohen se kanë përfituar pasuri të prejardhur nga krimi. Këto subjekte kanë kohë 48 orë për të justifikuar burimin e pasurisë së tyre. Teksa i shpëtoi ligjit anti-mafia dhe mundi të marrë pas pasuritë e konfiskua nga Gjykata për Krime të Rënda në vitin 2017, Dashamir Gjoka, biznesmeni nga Shijaku, do të duhet të faktojë sërish para drejtësisë së re, prokurorisë dhe gjykatës speciale, SPAK dhe GJKKO se pasuritë e tij janë me burime të ligjshme dhe të ardhura të justifikuara.
Dashamir Gjoka, është i dënuar në 2007-ën në Itali për trafikim qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai është administrator i kompleksit Gjoka dhe brenda 48 orëve duhet të justifikojë burimin e pasurisë. “Kjo nuk është hera e parë që shtetasit Dashamir Gjoka i kërkohet justifikimi i pasurisë. Edhe më parë kompleksi tregtar, dhe shumë nga shumë pasuritë e paluajtshme që ky shtetas dhe familjarët e tij kanë në pronësi, janë vendosur nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me zbatim të ligjit anti-mafia, pasi dyshohej se pasuritë buronin nga aktivitete kriminale. Por pa mundur të kalojnë në konfiskimin e tyre”, tha mëngjesin e djeshëm zëdhënësja e OFL.
Bazuar në ligjin anti-mafia, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi konfiskim e pasurisë së Dashamir Gjokës me dyshimin se ajo është krijuar nga aktiviteti kriminal. Por në Korrik të 2017-s, Apeli i Krimeve të Rënda ndryshoi vendimin duke ia kthyer pasurinë. Në vendim thuhet se Gjoka e ka krijuar pasurinë përmes investimeve, por edhe 3 kontratave huaje që ka marrë nga kompani të huaja. Kërkesa me shkrim për të justifikuar pasuritë i është dërguar edhe Emiljano Hysenit dhe vëllait të tij, Edlir Hyseni. Emiljano Hyseni është arrestuar në Gjermani pas sekuestrimit të një sasie të madhe kokaine, ndërsa vëllai i tij dyshohet se administron pasuri të prejardhura nga krimi. Emiljano Hyseni është arrestuar në vitin 2018 së bashku me 12 shqiptarë të tjerë, ku iu kap një sasi prej 1.8 ton kokainë.
“Këta individë, si subjekt i ligjit special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre”, tha punonjësja e OFL. Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit sekuestroi pasuritë e disa personave në Shkodër, të dyshuar si të përfshirë në pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës më 17 Janar 2020, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.