Alketa Vejsiu po e pret me emocion të madh prezantimin sot në Sanremo. Moderatorja e njohur do të bëhet shqiptarja e parë që drejton eventin më të rëndësishëm muzikor të Italisë, çka në sytë e shumë ndjekësve, përbën dhe pikën kulmore të karrierës së saj.
Alketa do të ngjitet në skenën “Ariston” në krah të Amadeus dhe të Georgina Rodriguez, bashkëshortja e famshme e yllit të futbollit Cristiano Ronaldo. Por ajo e ka dhe një surprizë: ashtu siç ndodhi edhe në festivalin e këngës në RTSH, Alketa edhe do të këndojë! Se çfarë hiti ka përzgjedhur, kjo nuk dihet ende, por padyshim duhet të jetë diçka e këndshme dhe që i përshtatet vokalit të saj.
“Para së gjithash falenderoj Rai-n dhe Amadeus për ftesën e veçantë, që është ëndrra e një kombi të tërë. Në Shqipëri, Sanremo ka qenë kolona zanore e shumë njerëzve. Për ne, Rai ka qenë dritarja e lirisë. Sytë e shqiptarëve janë me ju sonte dhe gjithashtu edhe të atyre që jetojnë në Itali, që janë më shumë se 600 mijë”, ka thënë Alketa në një konferencë për shtyp.