Kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi la të hapur mundësinë e prishjes së aleancës me kreun e opozitës Lulzim Bashën, nëse ky i fundit e lë jashtë listave të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme.
Teksa u pyet nga gazetarja Mirela Milori në emisonin “Mbrëmje në ABC”, se çfarë do të ndodhë nëse Basha nuk e fut në listat e deputetëve, Shehi tha se do gjejë rrugë të tjera për të qenë aktiv në politikë.
“Ne jo mendojmë që do jemi për mëshirë të zotit Basha, ne mendojmë që do jemi për atë që kemi kontribuar, kjo pastaj është një marrëdhënie zyrtare.
Nëse nuk do kemi mundësi me këtë lloj aleance, sigurisht për të qenë në politikë do gjejmë rrugë të tjera”, theksoi kreu i LZHK-së.
Ndërkohë, Shehi deklaroi se për partitë e vogla për të bërë aleancë sistemi aktual është sistemi më i mirë, por në gjykimin e tij, duhet inspirim.