Ligji i njohur tashmë si “Anti-KÇK” do të ketë subjekt të tij të gjithë personat, që deri më tani nuk kanë qenë subjekt i ligjit “Anti-Mafia” apo Kodit Penal. Në një intervistë për RTV Ora, deputetja socialiste Vasilika Hysi tregoi arsyen e miratimit dhe zbatimit të ligjit “Anti-KÇK”.
Ndër të tjera ajo shpjegoi se Operacioni Forca e Ligjit është për të marrë masa me karakter pasuror. Gjithashtu, Hysi u shpreh se paketa ligjore “Anti-KÇK” do të pushojë së funksionuari në momentin që SPAK dhe BKH do të jenë në funskion të plotë.
Vasilika Hysi: Ne kemi Kodin Penal, kemi ligjin “Anti-Mafia” edhe ky ligj që quhet “Anti-KÇK” ka një emërtim; është ligji që parashikon marrjen e masave parandaluese për të goditur krimin e organizuar. Që në momentin që ka hyrë në fuqi ligji “Anti-Mafia”, janë disa krime që nuk janë subjekt i këtij ligji. SPAK ka kompetenca të përcaktuara në ligj. Me krijimin e BKH, ky ligj nuk do të ketë më nevojë të funksionojë. Deri më sot Policia nuk ka pasur kompetenca që të mbledhi informacion.
Nuk mund, SPAK apo Gjykata e Posaçme, të mbledhin këto të dhëna apo informacione. Prandaj është krijuar Operacioni Forca e Ligjit, që mbledh informacionet, dhe ia vë në funksion prokurorisë. RENEA është forcë speciale për të kryer aksione të mëdha, kapje, shpëtime, arrestime. Ndërsa OFL është për të marrë masa me karakter pasuror. Shqipëria ka një listë të personave që janë në listën e zezë. Është kjo forcë që duhet të godasë edhe në këtë drejtim. Në këtë periudhë ne kemi pasur disa raste, ku prokuror dhe gjyqtarë, edhe për shkak të vettingut, janë bërë palë me botën e krimit.
Më tej, Vasilika Hysi u shpreh se paketa “Anti-KÇK” nuk preken gjyqtarët dhe prokurorët për shkak se ata janë subjekt i vettingut. Ndërsa gjatë fjalës së saj, deputetja socialiste theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve.
Vasilika Hysi: Ky akt normativ nuk mund të prek gjyqtarët dhe prokurorët. Kemi bërë reformën në drejtësi që po zbatohet. Por, veprime të caktuara nga gjyqtarë dhe prokurorë, ky ligj i prek. Periudhën e fundit ka pasur raste të lirimit nga burgu apo pushime të çështjeve, dhe kemi pësuar të gjithë një zhgënjim. Në këtë kuadër, një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk e marrin këtë përgjegjësi kur e dinë që do dalin nga sistemi i drejtësisë për shkak të vettingut.
Në luftën kundër krimit të organizuar ka nevojë të ketë koordinim dhe bashkërendim të punës mes disa institucioneve. Ne kemi ligje shumë të mira, por bashkëpunimi mes organeve nuk është i duhur. Pasuritë nuk i zotërojnë krerët e botës së krimit, ato transferohen te të tjerë. Veprimtaria gjurmuese duhet të vijojë vazhdimisht. OFL u parapri përpara disa vitesh.
Punonjësit e rinj të policisë të rekrutuar kanë ardhur nga të gjitha fushat. Janë juristë, bankier, ekonomist, punonjës social etj. Të hetosh sistemin bankar duhet të jesh njohës shumë i mirë në ekonomi. Ka shumë sekuestrime por ka pak konfiskime. Ky është zhgënjim për publikun shqiptar.
Është një akt normativ i përkohshëm. Ne nuk duhet të paragjykojmë nismat që janë të domosdoshme për të rritur efektivitetin e luftës kundër krimit. Të gjitha qeveritë kanë vënë theksin te puna e dobët e goditjes së pasurive të krimit të organizuar. Në këtë moment që kemi një periudhë tranzicioni të strukturave të reja të drejtësisë, ka zëra për ta kundërshtuar. Ajo që ka rëndësi në këtë ligj, se për sekuestrimet që janë bërë në bazë të Kodit Penal apo ligjit “Anti-Mafia”, ky ligj pezullohet për ato raste.