Shtohen sinjalet se politika shqiptare po hyn në rrugën e duhur. Marrëdhëniet Rama-Meta duket sikur janë qetësuar, ndërsa sinjale pozitive janë dhënë edhe sa i takon raportit Rama-Basha. Kryeministri ndodhet në SHBA dhe ka mbajtur një fjalë në Këshillin Atlantik. I pyetur mbi marrëdhëniet me opozitën, Rama duket se doli garant edhe për Bashën, pasi u shpreh se nuk do të ketë më bojkot zgjedhjesh në Shqipëri.
Rama ka folur nga Këshilli i Atlantikut si kryetar i kryesisë së OSBE, ku u mbajt një bashkëbisedim. Rama ka folur mbi bojkotin e zgjedhjeve, ku deklaroi se nuk do të ketë më bojkot zgjedhjesh. Rama u shpreh se vendi ynë e pa se nga bojkoti nuk u fitua asgjë. “Pra, në njëfarë kuptimi, ne jemi duke u rritur. Ende nuk kemi arritur aty ku duhet. Na duhet kohë dhe përvojë për të arritur aty ku duhet. Nuk e shoh domosdoshmërisht si problem, por e shoh si një mangësi të natyrshme në procesin e rritjes. Sinqerisht, unë mendoj se kemi kaluar një moment mjaft të vështirë, pasi bojkoti u bë traditë në Ballkan. Të gjithë ne kemi bërë bojkotim.
U bë e natyrshme, normale. Shpresoj që nuk do të ndodhë kështu për disa vjet në SHBA, por asnjëherë nuk kishim pasur bojkotimin e zgjedhjeve. Kështu që kjo ishte një gjë e re dhe duhej refuzuar, pra, nuk mund të ishte e negociueshme. Unë e shoh shumë të pagjasë, në hapat e mëtejshme, që partitë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Mendoj se i kemi dhënë fund me bojkotimet, sepse të gjithë kuptuan që në fund nuk fiton. Në fund është më tepër vetëshkatërrim që natyrisht dëmton edhe vendin, por nuk të sjell asgjë. Është një proces i një maturimi të mëtejshëm”, tha Rama.
Kryeministri në fjalën e tij e vë theksin tek dakordësia pa dhunë e më mirësi. Ai deklaroi se nëse bihet dakord në mënyra të tjera, që nuk janë të duhura apo të mira, jeta për pasojë nuk do të jetë e mirë, por e keqe. “Ne kemi folur shumë gjatë këtyre dekadave, sesa shumë iu ka bërë dëm komunizmi vendeve tona. Gjithçka ka pasur lidhje me çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por po ndodh shumëçka në të tashmen, që lidhet me atë çka ka ndodhur në të shkuarën dhe një nga pikat më të dëmshme është që jemi rritur në një shoqëri ku të tjerët nuk ekzistonin, ku kundërshtari nuk ekzistonte. Ishim vetëm ne dhe ata, armiqtë. Kësisoj, kultura e kundërshtimit të tjetrit, pa u vrarë domosdoshmërisht, nuk u ndërtua. Kështu i gjithë procesi i hyrjes në një demokraci normale është procesi i të kuptuari që në fund të fundit, cilësia e jetës demokratike, ashtu siç dhe cilësia e jetës në një familje nuk varet nga sa shumë, bini dakord me njëri-tjetrin, por nga mënyra sesi nuk bini dakord. Nëse nuk bini dakord me hir, apo në mënyrë të mirë, atëherë jeta është e mirë. Nëse nuk bie dakord në mënyrë të çmendur, atëherë jeta është e keqe”, tha Rama.
Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë dje një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetin social Facebook. Basha deklaroi se opozita jashtëparlamentare i qëndron ende idesë për krijimin e qeverisë tranzitore pa Ramën kryeministër, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Mes të tjerash Basha tha se PD është e fokusuar tek votimi elektronik. “Qeveria tranzitore është garanci dhe pa Ramën kryeministër. Ne do të bëjmë gjithçka që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik. Votimi elektronik dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar në tryezën e reformës zgjedhore. Janë një nga pikat e programit të punës. Ne kemi parë në dhjetor se si mund të ndërtohet një sistem për votimin elektronik relativisht brenda një kohe të shkurtër, një sistem i thjeshtë”, tha Basha./Sot/ ARBJONA ÇIBUKU