Tentativa për të bllokuar reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj, duket se do t’i kushtojë shumë presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ka nisur një luftë të fortë me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe ka futur në kaos Gjykatën Kushtetuese me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të saj.
Por duket se nga java tjetër, presidenti Meta nuk do ta ketë më të lehtë të bëjë të tilla manovra, pasi mazhoranca i ka “lidhur duart” atij. Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi dy projektligjet, përkatësisht “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar””.
Miratohen ligjet që i heqin betimin e gjyqtarëve
Gjatë fjalës së saj në komision, relatorja e dy projektligjeve, deputetja socialiste, Klotilda Bushka theksoi se ndryshimet e propozuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, synon dërgimin e betimit me shkrim nëse presidenti Ilir Meta nuk organizon ceremoninë e betimit brenda një afati kohor. “Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin brenda 10 ditëve, me ndryshimet e reja që pëson ligji, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ajo.
Më tej, zonja Bushka theksoi se i njëjti mekanizëm do të ndiqet edhe me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe prokurorët e SPAK. Në këtë kontekst, deputetja socialiste zbuloi se nëse presidenti Ilir Meta nuk i thërret anëtarët e këtyre institucioneve për t’u betuar, ata e bëjnë betimin me shkrim dhe ia çojnë me postë institucionit të Presidencës dhe atyre të emërtesës, duke u emëruar automatikisht. “Betimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë organizohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor brenda 10 ditëve. Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe për prokurorët e SPAK”, nënvizoi Bushka.
Presidenti asnjë shans të bllokojë reformën
Interesant është fakti se këto ndryshime u mbrojtën edhe nga një nga nismëtarët e dy projektligjeve, sikundër është deputeti socialist, Adnor Shameti. Ky i fundit gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, theksoi se kjo nismë synon zhbllokimin e institucioneve, sa i takon betimit të magjistratëve, të cilët sipas tij, do të betohen me shkrim në rast refuzimi nga ana e presidentit Ilir Meta. “Në kushtet e mungesës së vullnetit nga ana e presidentit të ketë elementë zhbllokues. Nëse presidenti nuk e ushtron të drejtën për të organizuar ceremoninë e betimit, ai mund ta bëjë me shkrim dhe kjo të konsiderohet si akti i betimit”, deklaroi Shameti. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët e pranishëm, Komisioni i Ligjeve miratoi në tërësi dy projektligjet, që përplotësojnë dhe përmirësojnë paketën e reformës në drejtësi.
Por miratimi i këtyre dy projektligjeve është një sinjal i keq për presidentin Ilir Meta, i cili nuk do të ketë më akses që të bllokojë reformën në drejtësi, sikundër ka bërë kohët e fundit. Pra, mazhoranca me miratimin e dy projektligjeve, “vrau” dy zogj me një gur, pasi nga njëra anë i “lidhi duart” Metës, ndërsa nga ana tjetër, iu dha frymëmarrje institucioneve të reja, në mënyrë që ata të mos asfiksohen në rast se presidenti heziton që të zbatojë ligjin për betimin e magjistratëve./Sot/ RIGELS SELIMAN