Eliminohen pengesat sa i takon vendimit final për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Mazhoranca duket e vendosur për t’i shkuar në fund këtij procesi, por fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Momentalisht kjo gjykatë nuk ka kuorumin e mjaftueshëm, por brenda pranverës pritet të jetë gati.
Mirëpo, një pengesë që shihej në këtë mes, ishte numri i lartë i çështjeve të akumuluara në gjykatë, për shkak të mosfunksionimit. Por duket se kjo nuk do të jetë më një problem, pasi me emërimin e Fiona Papajorgjit, Elsa Toskës, por dhe dekretimit të diskutueshëm të Marsida Xhaferllarit, kjo gjykatë ka filluar të marrë vendime në Kolegj. Kolegji përbëhet nga 3 anëtarë dhe vendos nëse çështjet do të kalojnë apo jo në shqyrtim. Gjatë muajve dhjetor dhe janar, ky kolegj është mbledhur dhjetëra herë dhe ka vendosur që 76 çështje të mos kalojnë për shqyrtim. Me këtë ritëm, deri në prill kur dhe do të vendoset shkarkimi i presidentit Meta, të gjitha çështjet e mbartura do të jenë ezauruar. Pra, nëse Parlamenti voton për shkarkimin, çështja kalon menjëherë për shqyrtim duke mos hasur probleme.
Gjykata Kushtetuese në 2019
Në nëntor të 2019, Gjykata Kushtetuese filloi menjëherë nga procesi i shqyrtimit paraprak të çështjeve të regjistruara. Aty bëhet me dije se janë dërguar në Kushtetuese 50 kërkesa. Plot 29 kërkesa janë për kundërshtim të vendimeve të gjykatave të zakonshme, në kuadër të procesit të rregullt ligjor, 3 për konstatim të cenimit të së drejtës, 14 për papajtueshmëri të ligjeve (apo dispozitave të veçanta të tyre) me Kushtetutën, 1 për zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencës, 1 për kundërshtim vendimi të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, 2 për kundërshtim të VKM. Në raport, janë vendosur edhe vendimet e marra gjatë vitit 2019.
Gjatë vitit në fjalë, Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim 4 kërkesa, të paktën 2 i ka kaluar për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve, ndërsa për 40 kërkesa ka vendosur moskalimin e tyre për shqyrtim në seancë plenare. Ndërsa referuara kërkesave të kaluara për shqyrtim në seancë plenare, 1 kërkesë është paraqitur nga Presidenti, 1 nga kryeministri, 1 nga gjykata, në kuadër të kontrollit incidental, 1 nga individ. Ndërsa referuara vendimeve të dhëna në vitin 2019, plot 40 të tilla, 30 vendime janë kërkesat e paraqitura në vitin 2018, ndërsa 10 vendime janë të kërkesave të paraqitura në vitin 2019.
Çështjet e mbartura për 3 vite
Në raportin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, janë raportuar edhe çështjet e mbartura, për tri vite, 2017, 2018, 2019. Konkretisht, sipas raportit 8 kërkesa janë të mbartura nga viti 2017, 5 nga të cilat janë kërkesa që kanë kaluar për shqyrtim në seancë plenare, ndërsa 3 kanë kaluar për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Ndërsa në vitin 2018, kanë mbetur të mbartura 40 kërkesa, ku 9 prej të cilave kanë kaluar për shqyrtim në seancën plenare, 6 për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve dhe 25 kërkesa janë akoma në fazën e shqyrtimit paraprak. Ndërsa për vitin 2019, janë 41 kërkesa të mbartura, 2 kanë kaluar për shqyrtim, 2 kanë kaluar për shqyrtim paraprak dhe 37 janë në fazën e shqyrtimit paraprak./Sot/ORNELA ÇELPICA