Hapet rruga për ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përfshirë në afera. Deri më tani procesi i vetingut vetëm sa i ka shkarkuar nga detyra, por askush nuk është hetuar për korrupsion galopant. Nga ana tjetër shumë prokurorë dhe gjyqtarë që e dinë se do të ngelin në veting po bëjnë kërdinë përmes vendimeve.
Mirëpo, si ata që janë shkarkuar edhe ata që janë në detyrë nuk do t’ia hedhin paq, pasi i presin mjaft surpriza dhe telashe.
Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Këto ndryshime i japin kompetenca Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të ndërhyjë kur për një gjyqtar ose prokuror ka denoncime. Kështu, sipas draftit që disponon gazeta, sapo ka një akuzë apo denoncim ndaj një gjyqtari apo prokurori, kreu i ILD i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët brenda 3 ditëve duhet të japin vlerësimin e tyre, duke e pezulluar subjektin e denoncuar nga detyra. Këto ndryshime i hapin rrugë ndëshkimeve në gjyqësor, ndërkohë që me pezullimin nga detyra shmanget prisha e provave nga gjyqtarët apo prokurorët e korruptuar.
“Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë përcakton se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, i paraqet Këshillit përkatës kërkesën e arsyetuar për fillimin e një procedimi disiplinor dhe për pezullimin e magjistratit, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar; Këshilli pezullon magjistratin nga detyra, nëse krijon bindjen se vazhdimi i magjistratit në detyrë dëmton rezultatin e procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt, ose diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit. Këshilli vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tij jo më vonë se 3 ditë pas paraqitjes së kërkesës; Këshilli pezullon procedimin disiplinor kur çmon se ka nevojë për hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore duke i kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë këto hetime”, thuhet në projektligj.
Por përveç ndryshimeve në ligj, ndëshkime ekzemplare për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ka paralajmëruar edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit teksa ishte duke folur dje në Këshillin e Atlantikut, në një bashkëbisedim të hapur mbi vizitën në Uashington, zbuloi se gjithë njerëzit e drejtësisë që kanë dalë nga sistemi për shkak se kanë qenë të përfshirë në afera apo nuk kanë justifikuar pasurinë, do të përballen me një valë padish. Në këtë kontekst, Rama theksoi se qeveria e tij është e vendosur për të ndëshkuar këtë kategori ish-zyrtarësh që kanë bërë kërdinë dhe janë pasuruar në kurriz të qytetarëve shqiptarë. “Ne jemi në vijim të procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe po themi që të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk justifikojnë pasuritë e tyre janë jashtë sistemit e do të dalin jashtë sistemit, por po kështu mund t’u nënshtrohen hetimeve dhe padive në të ardhmen”, deklaroi kryeministri Edi Rama.