Mënyra flagrante dhe korruptive se si janë pasuruar Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi është sfida dhe prova më e madhe për Prokurorinë e Posaçme, nëse do të zbatojë ligjet dhe do të justifikojë besimin e publikut, apo do të jetë thjeshtë një zgjatim i Adriatik Llallës dhe Arta Markut, të cilët do të mbahen mend si ushtarë të politikës mafioze të Tiranës.
Që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të merren të pandehur nga SPAK-u si dhe t’u sekuetrohet pasuria, mjafton që prokurorët e SPAK-ut dhe kryetari Arben Kraja, të gjejnë pamjet filmike të vilës përrallore në Gjirin e Lalëzit, të shfaqura në emisionin e Sonila Meços, ku Monika tregonte me mburrje 11 tualete, madje një tualet të posaçëm edhe për macen.
Kur SHBA-BE nisën të shembnin drejtësinë e vjetër, e kthyer në një shurrtore e Berishës, Ramës dhe Metës, Monika i zhduku pamjet filmike të vilës, pasi kuptohej hapur se e kishte ndërtuar me paratë e korrupsionit.
Megjithatë, vila është aty. Me rrogën e Metës dhe Monikës nuk justifikohet dot as blerja dhe transporti i palmave. Vila ka një vlerë rreth 1.5 milionë euro. Monika dhe Meta e kanë justifikuar gjoja me shkëmbimin e disa ambienteve të pallatit të Monikës në Laprakë. Është një mashtrim i trashë për të mbuluar pastrimin e parave të korrupsionit. Megjithatë, edhe nëse Arben Kraja nuk i ka parë pamjet e vilës së Metës dhe Monikës, ne po i kujtojmë disa fakte të tjera.
Në vitin 2003, Ilir Meta dhe Monika deklarojnë blerjen e një vile në Golem me vlerë 60 000 USD. Paratë thonë se i kanë marrë kredi. Në vitin 2006, Meta dhe Monika e shesin vilën për 300 mijë euro. Ata shlyejnë kredinë dhe pastrojnë për disa minuta 250 mijë euro. 250 mijë euro me një të rënë të lapsit.
Pse SPAk-u nuk i pyet Metën dhe Monikën se si ka mundësi që vilës iu katërfishua vlera në 3 vite? Kush ishte ai që ua bleu vilën? A ka burime të justifikuara financiare dhe çfarë lidhje interesash ka me Monikën dhe Metën? Si i vlerëson SPAK-u këto fakte të dokumentuara dhe të deklaruar nga vetë Meta dhe Monika?
Më tej, me paratë që pastruan me vilën, Meta dhe Monika blenë apartament 400 mijë euro në Tiranë, duke marrë 200 mijë euro kredi. Duke qenë se paratë e korrupsionit i kishin stivë, kredinë e shlyen shumë shpejt, duke pastruar edhe 200 mijë euro të tjera.
Me para korrupsioni Monika ka bërë edhe pallatin në Laprakë, nga i cili ka legalizuar 800 mijë euro, duke shitur hyrjet. Fillimisht Monika thotë se tokën ia ka falur vëllai. Më pas ka lidhur një kontratë me burrin e Gentiana Sulës, për të bërë një pallat në këtë tokë. Meta dhe Monika kanë vetëm dy rroga shteti si të ardhura të ligjshme, ndërsa pasuria e tyre ka një vlerë mbi 10 milionë euro.
E gjithë kjo histori aferash, pastrimi parash dhe pasurini duket si një përrallë, por fatkeqësisht të gjitha lëvizjet janë të dokumentuara në ILDKPKI. Deklaratat e pasurisë së Monikës dhe Metës janë bërë publike dhe nuk ka asnjë mundësi për t’i manipuluar. Fakti i vetëm i habitshëm dhe i pashpjegueshëm është se si ka mundësi që SPAK vijon të heshtë bërballë kësaj skene krimi. Si ka mundësi që prokurorët e SPAK-ut lëkundin çdo ditë besimin e shqiptarëve për barazi para ligjit, dhe nuk verifikojnë se si Meta dhe Monika krijuan gjithë këtë pasuri përrallore nga hiqi!/Pamfleti