Kosova ka ndryshuar qasje ndaj nismës për Shengenin Ballkanik, që me ndryshimin e qeverisë së Kosovës. Me ardhjen e Vetëvendosjes në krye të qeverisë së Kosovës, duket se edhe retorika për Shengenin Ballkanik ka ndryshuar. Ndryshimi ka nisur që me deklaratat e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti dhe vizitës që ky i fundit do të bëjë sot në Tiranë.
Sakaq qendra e Vetëvendosjes në Tiranë, ka deklaruar dje se për herë të parë mes Serbisë dhe Kosovës do të vendosen marrëdhënie të drejtpërdrejta përmes parimit të reciprocitetit. Enis Sulstarova, kryetar i bordit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, ka deklaruar dje në një studio televizive se qeveria e re e Kosovës do të ndjekë parimin e reciprociteti në marrëdhëniet me Serbinë. Ai u shpreh se Kosova dhe Serbia do të kenë marrëdhënie më të hapura dhe të drejtpërdrejta me Kurtin në dialog. Sakaq Sulstarova cilësoi se atë që nuk bën Serbia për Kosovën, nuk do e bëjë as Kosova për Serbinë.
“Për herë të parë mes Serbisë dhe Kosovës do të vendosen marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe të hapura përmes parimit të reciprocitetit. Atë që nuk bën Serbia për Kosovën, nuk do e bëjë as Kosova për Serbinë”, tha Sulstarova. Sakaq deklarata për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe e vendosur nga ish-kryeministri Haradinaj dhe vendosja e parimit të reciprociteti, është diçka e theksuar edhe nga kryeministri Albin Kurti pas fitores së tij në zgjedhjet e 6 tetorit. Sulstarova u shpreh i bindur në lidhje me Shengenin Ballkanik, se kryeministri Kurti nuk do të marrë pjesë në takimet rajonale në lidhje me të, pa u rishikuar formati i saj.
“Mini-Shengeni u bë për të hequr taksën 100% të vendosur ndaj Serbisë, por pa njohur ajo Kosovën, Kurti nuk ka për ta pranuar. Demarkacioni me Malin e Zi është një dëm i madh që i është bërë Kosovës si pjesë e këshillave ndërkombëtare. Albin Kurti nuk do e miratonte kurrë demarkacionin edhe me urdhrat e Europës”, ka deklaruar Sulstarova. Ndërsa sa i takon bashkëpunimit me Shqipërinë, Sulstarova deklaroi se qeveria e re e Kosovës nën qeverisjen e Vetëvendosjes dhe me Kurtin kryeministër, është e hapur, duke forcuar dhe çuar para marrëdhëniet mes dy vendeve, por kjo varet edhe nga Tirana zyrtare nëse dëshiron të ecë me të njëjtin hap.