Nga Bledi Mane
Hyra pa trokitur, madje unë shkelmova derën dhe u futa brenda teje gjithë arrogancë. Ti e lodhur po flije. Të zgjova, të ngrita nga krevati, të nxorra jashtë lakuriq. Ishte ftohtë, e mban mend?
Binte shi dhe të lashë të lageshe e të dridheshe nga acari i dimrit. Shtëpinë ta ktheva përmbys, të prisha traditat, arkitekturën, të shkula caracin, ta thava pusin, ta piva rakinë, ta hëngra tavën e sheut.
Tapinë e shtëpisë ta vodha, dola jashtë, ta kyça derën, nxitova në gjykatë te Gjin Gjoni dhe e tjetërsova pronën. Ti prisje aty jashtë në shi e lagur dhe e ngjethur nga i ftohti. Sa më pe mua, qeshe dhe më pyete:
-Të futem edhe unë brenda?
Derën ta përplasa në fytyrë dhe të lashë të qulleshe deri në palcë. Rëmbeva telefonin dhe njoftova të gjithë miqtë e mi. Ata erdhën me rradhë një e nga një: Sali Kelmendi, Sali Berisha, Albert Brokaj, Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Ylli Bufi, Edi Rama, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Lulzim Basha, Ilir Meta, Erion Veliaj e pasi i kërcënova dhe i josha nuk nguruan të më japin leje. Te shtëpia jote e bukur me pjergulla, lule dhe oksigjen ndërtova kullat e larta. Parkingje, dyqane, zyra, apartamente pa fund por ty nuk të dhurova asgjë. Ua shita skraparllinjve, tropojanëve, vlonjatëve, matjanëve, korçarëve, kuksianëve…
2./
Ne jetojmë të gjithë të lumtur në pronat tona të reja ndërsa ti ende qëndron aty jashtë lakuriq, e drobitur, e raskapitur, e lagur, e ngjethur.
Ne të shikojmë çdo ditë nga dritaret e apartamenteve dhe makinave tona të shtrenjta tek qëndron aty e vetmuar por ti përsëri qesh dhe na pyet:
-Të futem edhe unë brenda se kam ftohtë?
Ne arogantët dhe mosmirënjohësit e pandreqshëm xhirrojmë gomat e makinave dhe ta lëndojmë çdo ditë e më tepër mikpritjen tënde!