Emisioni “Top Story” në “Top Channel” ka treguar dje të tjera detaje nga rrëfimet e familjes Haklaj. Javën që lamë pas, Zylfie Haklaj hodhi dritë mbi shuarjen e familjes së saj, ndërsa dje është rrëfyer dhe motra e saj Aishe Haklaj. Këtë herë ato kanë treguar detaje nga ekzekutimi i ish-deputetit Azem Hajdari.
Vrasja e Hajdarit
Në 12 shtator, në Tiranë do të mbërrinte Fatmir Haklaj. Ai shoqërohej nga Shefi i Rendit Jaho Mulosmani, shefi i qarkullimit Ismet Haxhia dhe Naim Çangu. Nga Tropoja, pjesë e eskortës së Fatmirit ishte edhe furgoni i Grupit të Gatshëm. Në Tiranë atë ditë kanë qenë edhe Halil Haklaj, dhe xhaxhai Elez Haklaj. Mendohet se ata kanë ardhur pikërisht me mjetet e eskortës së Fatmirit.
Gjatë ditës, Fatmiri u takua edhe me Izet Haxhinë, truprojën e kreut të opozitës Sali Berisha. Pikërisht, ky detaj do ti kushtonte shtrenjtë Haxhisë që do të akuzohej si bashkëpunëtor në atë që njihet si vrasja e shekullit. Azem Hajdari ndodhej në Fier atë ditë ku zhvilloi një miting. Më pas, ai u ndal në Lushnje për disa takime dhe diku nga pasditja ka mbërritur në Tiranë. Gjatë kohës që ishte në Fier dhe Lushnje, ai ka marrë disa telefonata që i kërkonin të kthehej në Tiranë. Në mbrëmje, Hajdari shkon në zyrën e tij në selinë e Partisë Demokratike, në katin e dytë. Rreth orës 21:00 aty afrohet një mjet tip Mercedez me targa të Vlorës. Pasagjerë ndodheshin Fatmir Haklaj, Naim Çangu dhe Jaho Mulosmani. Vetura kishte një fenelinë policie. “Si më ka treguar Fatmiri ata kanë pritur një mik për ta takuar, ne kemi plot miq në PD edhe sot e kësaj dite. Në këtë kohë del Azem Hajdari”, tregon Zylfije Haklaj.
Në orën 21:13 minuta nga selia e PD-së del Azem Hajdari, i cili merr drejtimin për tek mjeti ku ndodheshin Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Naim Çangu. Burime të ndryshme dhe dëshmitarë rrëfejnë se para se të dilte, ai kishte folur në telefon me dikë që i kishte kërkuar të dilte. “Sali Berisha mund ta ketë nxjerrë në pritë Azemin, duke pasur parasysh takimin e Azemit me babain, mund ta ketë kërcënuar i ka thënë ke bërë marrëveshje me Haklajt, e mund ta ketë detyruar të dalë”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve. Ajo që është thënë nga dëshmitarë të ndryshëm është se dikush ka telefonuar në zyrën e Azemit për të njoftuar lidhur me një mjet të dyshimtë që qëndronte pranë selisë së Partisë Demokratike.
Atë mbrëmje në selinë e demokratëve ndodhej edhe kryetari Sali Berisha, por nuk dihet nëse ai ka pasur informacion për mjetin e dyshimtë që lëvizte pranë selisë. Nuk dihet as fakti se pse për të sqaruar këtë situatë, doli pikërisht Azem Hajdari. Në momentet kur po dilte nga selia, atij i bashkohen truprojat Zenel Neza dhe Besim Çerja që ndodheshin te një kafene aty pranë. Një dëshmitar, do të deklaronte gjatë procesit se Azemi mbante në dorë një celular dhe dukej sikur sapo kishte mbyllur një telefonatë. Një tjetër person prezent, kishte pohuar se Azemi mbante në dorë një pistoletë me silenciator.
Në fakt, në vendngjarje, referuar dosjes zyrtare hetimore ishte gjetur edhe një pistoletë pranë viktimave. Prokuroria nuk e sqaroi kurrë nëse pistoleta i përkiste Azem Hajdarit, duke lënë të pazbardhur një moment që mund të tregonte shumë për dinamikën e ngjarjes. “Fatmiri tregoi që Azemi doli me pistoletë, erdhi në drejtimin tonë dhe shoqëruesit e tij ishin me armë automatike dhe s’kishte rrugë tjetër, dhe Fatmiri është kacafyt me Jahon e Naimin, nuk donin ta linin të dilte nga makina”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Kur Hajdari i është afruar automjetit, ai ka shkëmbyer disa fjalë me Fatmirin i cili më pas e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Plumbat i marrin jetën në vend truprojës Besim Çerës ndërkohë Hajdari ndërron jetë pas disa orësh në spital. I plagosur lehtë mbeti edhe Zenel Neza. Plumbat që dolën nga kallashnikovi i Fatmir Haklajt, gabimisht i morën jetën edhe mikut të tij Naim Çangu.
Flet Aishe Haklaj
Sipas motrës së Haklajve, Aishe Haklaj, e cila jep gjithashtu një intervistë ekskluzive për “Top Story”-n, rrëfeu se vrasja e Naimit ndodhi pasi ky i fundit shkoi për ti bllokuar armën, në mënyrë që të ndalte plumbat mbi Hajdarin. Por Fatmir Haklaj është trembur për një moment dhe ka kujtuar se pas tij po vinte truproja e Azem Hajdarit. Për këtë arsye, është kthyer pa vëmendje dhe ka qëlluar me breshëri mbi Naim Çangun. Më pas, Fatmiri e ka tërhequr deri te makina Çangun e plagosur dhe e ka transportuar drejt spitalit, ku ndërroi jetë disa orë më vonë. Vdekja e Çangut ishte një barrë e rëndë për Fatmirin. Arma e tij i kishte marrë jetën një prej miqve më të afërt. “Kur e kam pyetur për vrasjen e Azem Hajdarit, kur i thashë që more më qafë tjerët që kishte me vete, ai më është drejtuar, kur një njeri të sulmon për ta marrë jetën çfarë do të bësh ti, do t’i ngresh duart lart apo do ti thuash, këtu jam, vetëm bjeri këmbëzës, dhe koka e tij është varur, dhe ndoshta gjysmë ore se ka ngritur”, tregon Aishe Haklaj.
Zhvillimet pas vrasjes
Pas ngjarjes ku mbeti i vrarë Azem Hajdari, Haklaj me Mulosmanin udhëtojnë drejt Tropojës përgjatë gjithë natës. Sipas vendimit final të gjykatës, edhe Jaho Mulosmani ka qëlluar me një pistoletë 9 milimetërshe në drejtim të Hajdarit dhe truprojave të tij. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Sot, familja Haklaj, mohon kategorikisht që në vrasjen e Hajdarit të kenë marrë pjesë Mulosmani dhe Çangu. “Fatmiri mendoi që kur vjen dikush me armë nuk ka rrugë tjetër, edhe Naimi është përpjekur ta ndalojë, edhe sot djemtë e tij janë me PD-në”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve. Pas ngjarjes, lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi me emër si autor të krimit pikërisht Jaho Sali Mulosmanin.
Ai, nuk e përmendi fare emrin e Fatmir Haklajt, sa kohë ky i fundit ishte gjallë. “Jaho ka qenë Shef Rendi, ka thënë Jaho Mulosmani, ka dashur ta bëjë politike. Ai e di që Jaho s’ka pasur asnjë ndikim në vrasjen e Azem Hajdarit”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve. Nuk dihet nëse Berisha i trembej hakmarrjes së Haklajve apo nuk kishte informacion të saktë mbi autorësinë e krimit. Madje, edhe kur Fatmiri u rikthye në polici në vitin 1999, ai akuzonte Partinë Socialiste se po vishte banditët me uniformë, por emrin e Haklajt nuk e përmendi. “Kurrë se ka përmendur emrin e Fatmirit, kur u kthye në detyrë akuzonte PS-në, por jo Fatmirin personalisht. Nuk e di a ka pasur frikë Berisha nga familja jonë por siëdo njeri prej mishi e gjaku edhe Sali Berisha ka frikë”, tregon Zylfije Haklaj. Mbrëmjen e krimit, ministri i Brendshëm i asaj kohe i kërkoi shefit të krimeve në Tropojë Kastriot Gjongecit të verifikonte në kullën e Mulosmanëve në Bujan, prezencën e Jahos.
Atje, u del para policëve babai i tij Sali Mulosmani dhe u thotë se Jaho është sëmurë në shtrat dhe nuk mund të dalë. Të nesërmen, Jaho u paraqit në punë në komisariat, pasi kishte udhëtuar përgjatë gjithë natës nga Tirana. Edhe pse sot është pas hekurave, Jaho Mulosmani konsiderohet si një prej njerëzve më të rrezikshëm pranë Haklajve. “Nuk kemi tentuar për të kontaktuar, nga frika se mund tu ndodhë ndonjë gjë. Po qëndron në burg padrejtësisht Jaho Salihi. Është dënuar me burgim të përjetshëm nga fjala e Sali Berishës”, tregon më tej Zylfije Haklaj. Në lidhje me ngjarjen, janë dënuar edhe vëllezërit Izet dhe Ismet Haxhia, përkatësisht me 25 dhe 20 vite heqje lirie. Ismeti e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale.
Implikimi i tij ishte vetëm udhëtimi në një prej mjeteve me Fatmir Haklajn, nga Tropoja në Tiranë. Ndërkohë, për Izet Haxhinë, në vendimin final të gjykatës thuhej se ai është personi që nxori në pritë Azem Hajdarin. Ai i është dorëzuar autoriteteve pas shumë viteve në arrati dhe është në pritje të rigjykimit. “Asnjë lidhje s’ka pas Izet Haxhia, as vëllezërit Haxhia, asnjë person”, tregon Zylfije Haklaj.