Nga Mero Baze
Presidenti paska zgjedhur Shën Valentinin të reflektojë ndaj lajmeve të rreme, që përhapi zyra e tij në muajin nëntor, rreth një videoje erotike të një ambasadori të Bashkimit Europian në Tiranë, me një zyrtare të lartë të shtetit shqiptar.
Reflektimi i Presidentit vjen pasi ambasadori Soreca foli për herë të parë publikisht për këtë shëmti të prodhuar nga zyra e Presidentit. Janë së paku disa gazeta të kontrolluara nga Presidenti dhe dhjetra zyrtarë të lartë të LSI, që kanë ende në profilet e faqeve të tyre në Facebook, postimet shantazhuese, lajmet nga burime të sigurta brenda Presidencës për ekzistencën e videos dhe pastaj shpërndarjen e tyre.
Sekretare e Ilir Metës ka shpërndarë në dhjetëra adresa whatsapp-i dhe messenger-i shantazhin duke “e filluar me fotot”, duke lënë të kuptohej se pastaj do nxirrej video-ja.
Nëse kjo do të kishte ndodhur në ndonjë institucion tjetër të shtetit shqiptar, do të ishte problem serioz.
Por koha në të cilën Ilir Meta e bënte këtë shantazh dhe arsyeja përse e bënte, kishin shpjegime psikologjike dhe politike.
Së pari, shantazhi i zyrës së Ilir Metës për një video erotike dhe përfolja pastaj nën zë e emrave konkretë, vinte në një kohë kur Ilir Meta kishte shfaqur publikisht shenja të qarta të një stresi politik, pasi ai ndjehej i rrethuar nga Perëndimi.
Kishte shpallur luftë kundër ambasadorëve të Perëndimit, kishte shpallur “Non grata” për hesap të vet ambasadorin e OSBE, kishte lëshuar taborrin e LSI, të flisnin për ambasadorë që bëjnë orgjira, kishte sulmuar të dërguarin e presidentit Trump për Ballkanin, Matthew Palmer, kishte refuzuar të takonte të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA dhe ambasadorin italian në Tiranë, si mbështetës të Reformës në Drejtësi etj.
Pra kishte bërë aq shumë marrëzi, sa kjo numërohej një prej tyre. Dhe nuk është se ja mori njeri seriozisht.
Së dyti, për opinionin publik, shantazhet e Ilir Metës me video kanë dhe një shpjegim psikologjik, pasi ai është goditur rëndë personalisht nga një regjistrim i ish- ministrit të tij, dhe prej atëhere ai ndjehet i traumatizuar nga mekanizimi i video-regjistrimit. Dhe kur tentoi t’i kundërpërgjigjej ish- ministrit të vet, ai tentoi pikërisht të regjistrojë video seksuale.
Pra në koshiencën e tij, Ilir Meta e konsideron video-regjistrimin seksual, si një armë të fortë kundër çdo armiku të vet. E quan atë formën më të lartë të kërcënimit dhe të sulmit që mund t’i bëjë një kundërshtari.
Ndaj në këtë aspekt, sulmi ndaj ambasadorit Soreca vlen më shumë për të kuptuar se sa armik e ka në mendjen e vet Ilir Meta, se sa për ekzistencën apo jo të ndonjë videoje.
Kur Ilir Meta të kërcënon me video-regjistrim seksual, dihet se të ka futur tek armiqtë e mëdhenj, si ai që i bëri video-regjistrimin në zyrë për punë pazaresh.
Dhe së fundmi, kur Ilir Meta kërkon hetim për gjërat që bën vetë, apo për bashkëpunëtorët e vet, duhet të kuptoni se është trembur.
Është pak a shumë ajo që i ndodhi me Klement Balilin disa vite më parë. Pasi shkoi në SHBA dhe u përball me historinë, u kthye në Tiranë dhe kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të hetuar kush është i lidhur me Klement Balilin. Në fakt e kishte emëruar vetë drejtor, i kishte në krye të LSI në Sarandë, dhe kërkonte hetim sikur këtë gjë ja kishte imponuar PD, ose PS.
Tani është në të njëjtën situatë. Pasi ka folur ambasadori Soreca dhe pasi opinioni publik nuk e ka kapërdirë shantazhin e ndyrë të Ilir Metës, ky po shfaqet të kërkojë hetim, për t’u dukur sikur nuk ka ditur gjë.
Ka vetëm një shans të bindë opinionin për këtë. Të marrë raport mjekësor, ku të provojë që nuk ka qenë koshient në vjeshtën që shkoi nga trutë e kokës. Dhe është e vetmja gjë që do t’ia besojnë shqiptarët. S’ka nevojë për hetim.