Nga Mero Baze
Ka një përpjekje të shtypit, për ta prezantuar Albin Kurtin si një triumfator që i nervozon kundërshtarët. D.m.th ja quajnë triumf, faktin që nga biseda me të, dalin të gjithë të nervozuar. Kështu u vizatua udhëtimi i tij i parë në Tiranë, dhe gjithë militantët pro Kurtit, u morën me gjuhën e trupit të Edi Ramës, që grindet dhe me rrobat e veta.
Por për aq sa ka folur me Albin Kurtin në Tiranë, Rama nuk ka pas arsye as të qeshte, as të nxihej, se nuk ka ndonjë hall as me Albin Kurtin, dhe as me Kosovën. Është thjesht kryeministri i shtetit amë, që mbështet Kosovën. Dhe siç e ka përshkruar edhe Albini, edhe Rama takimin, nuk ka pasur ndonjë tension në bisedë.
Ky nxitimi për ta vizatuar Albin Kurtin si “Batmanin” që hyn në zyra dhe kur del, ai qesh dhe të tjerët nxijnë, përveçse është paksa qesharak dhe banal, është dhe një vizatim teatral i militantëve të tij, që në fakt i bën dëm.
Me këtë teatralitet, u mbulua dhe vizita e tij në Samitin e Sigurisë në Mynih.
Gjithë militantët e Albin Kurtit, sidomos këta në shtyp, janë në qiell të shtatë, pasi sipas tyre, kur ka folur Albini, Vuçiç ka qenë nervoz dhe është prishur në fytyrë. Bile ky qe i vetmi detaj që vetë Albini dha nga takimi.
Në fakt, nuk tha si ka qenë Albini në fytyrë kur ka folur Vuçiç. Shpresoj mos të ketë qenë i gëzuar, pasi ata nuk janë për të bërë të gëzuar njëri- tjetrin kur flasin.
Por në Berlin, Albin Kurti nuk ka shkuar për të prishur në fytyrë Vuçiçin, pasi ai është aktor më i rregjur se Albini. Serbët bëjnë sikur qajnë dhe kur i kanë punët më mirë se të gjithë. Vetëviktimizimi është moto në historinë e tyre politike. Ata duan të ndjehen viktima dhe kur janë realisht fitimitarë.
Problemi është se Albin Kurti ka prishur në fytyrë sekretarin e Shtetit të SHBA, Mike Pompeu dhe të dërguarin e presidentit Trump, Grenell. Normal që pas kësaj, as Hashim Thaçi e as Edi Rama, s’kanë pse të jenë të lumtur në fytyrë. Kurse Vuçiç mund ta përjetojë dhe si festë.
Nëse shikon se çfarë produkti ka Samiti i Mynihut, e kupton që ai është refuzuar të takohet nga sekretari i Shtetit, Pompeu, sipas shtypit të Kosovës, të afërt me Kurtin.
Më tej ai ka bërë një gjest populist, që cënon dhe seriozitetin shtetëror të Kosovës, duke deklaruar se nuk i njeh dy marrëveshjet e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës me qeverinë e Serbisë, me ndërmjetësinë e SHBA dhe të dërguarit të presidentit Trump.
Nëse ky është qëndrim serioz, një kryeministër nuk bën deklarata shtypi, por i merr dy marrëvshjet, i çon në Parlament, dhe i rrëzon atje. Nëse nuk i rrëzon dot, rrëzohet vetë.
Këto deklaratat patriotike, që ai nuk i njeh marrëveshjet me Serbinë, ndërmjetësuar nga SHBA, pasi shteti i Kosovës fillon ditën që u bë ai kryeministër, janë ngjarje të rënda, që mund të prishin në fytyrë çdo shqiptar, por jo Vuçiçin.
Ky i fundit mund të pijë verë të shtrenjtë e të gëzohet për këto marrëzira populiste, që i heqin Kosovës, SHBA-në, dhe ja çojnë peshqesh atij.
Albin Kurti po kthehet nga Mynihu si një kryeministër i refuzuar zyrtarisht nga SHBA dhe një mohues i shtetit të vet, nën mitomaninë e njeriut që kërkon që historia të nisë me të.
Tani nuk di pse ngjarje kryesore në Mynih qenka gjuha e trupit e Vuçiç, që bën gjoja si viktimë, ndërkohë që është i fituari i madh, dhe jo gjuha e turpit e kryeminsitrit të Kosovës ndaj SHBA, i cili nuk ka asnjë tagër të armiqësojë SHBA me Kosovën, duke ja bërë dhuratë mbështetjen amerikane, Serbisë.
E vërteta është se Albin Kurti ka problem me Presidentin e Kosovës që po ruan luajalitetin me SHBA në këtë proces. Këtë problem nuk ja zgjidh dot askush perveç vetes. Gjermania dhe SHBA mund të ndërmjetësojnë dialogun Serbi Kosovë, por jo dialogun Thaçi Kurti. Atë duhet ta zgjidh vet, jo duke e vizatuar Thaçin me gjuhën e trupit të Vuçiqit, por duke folur shqip me të. Se SHBA dhe Thaçi kanë arsye vërtet të jenë të shqetësuar nga qëndrimi i Kurtit. Vuçiq nuk ka asnjë arsye.
Sdi si po kthehet Vuçiq nga Berlini, por Albini duket po kthehet si Enver Hoxha nga Konferenca e Moskës. Por dhe Enveri e kishte një hile, se ishte lidhur ndërkohë me Kinën, përpara se t’ia plaste në fytyrë Hrushovit. Nuk di me kë është lidhur kryeministri i Kosovës, se Kina tani ka dhe hallet e saj.