Projekti për Shengenin Ballkanik pritet që të finalizohet gjatë vitit aktual. Edhe pse Kosova ka dalë kundër, duket se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia e kanë gjetur konsensusin midis tyre. Gazeta ka siguruar planin e akteve ligjore që do të miratohen nga qeveria gjatë këtij viti, ku në axhendë janë dy marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të eliminuar procedurat mbi lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve.
Në projektvendimet e hartuar nga Ministria e Brendshme është përcaktuar që marrëveshja e Shqipërisë me dy shtetet e tjera do të miratohet brenda 4-mujorit të parë të vitit 2020, çka do të thotë se brenda muajit prill qeveria do të ketë vulosur përfundimisht Shengenin Ballkanik. I pari është projektvendimi “Për miratimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, i cili ka si qëllim angazhimin e përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me qëllim për të thjeshtëzuar dhe lehtësuar procedurat dhe masat e lidhura me kontrollet kufitare të menaxhimit të qarkullimit ndërkufitar ndërmjet dy vendeve. Projektakti pritet të rregullojë fluksin në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve tona.
Marrëveshja me Serbinë
Një tjetër marrëveshje e përgatitur nga Ministria e Brendshme dhe që do të miratohet shumë shpejt nga qeveria është ajo me Serbinë. Akti titullohet: “Për miratimin e marrëveshjes mbi ndryshimet e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”. Aty theksohet se qëllimi i vetëm është lehtësimi i lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve të të dyja vendeve, si mjet të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve. “Përmbushje e procedurave për hyrjen në fuqi sipas parashikimeve të ligjit nr. 43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në RSH” Miratimi përfundimtar i marrëveshjes për të bërë të mundur hyrjen e saj në fuqi dhe lehtësimi i lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve të të dyja vendeve, si mjet të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve”, thuhet në projektakt.
Kundërshtia e Kosovës për Shengenin Ballkanik
Por ndonëse mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë u arrit një marrëveshje, Kosova vijon të mbetet jashtë, pasi nuk pranon mini-Shengenin Ballkanik. Pak kohë më parë gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh i prerë se nuk mund të ketë mini-Shengen pa pasur më parë një makro-shengen, duke cilësuar lehtësitë që duhen arritur mes Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket kufijve, por edhe jetesës pa probleme procedurale të popujve shqiptarë në dy shtetet. “Ky ishte takimi ynë i parë. Ka edhe shumë tema të cilat do t’i trajtojmë në të ardhmen e mund të them që kjo ishte një temë që e trajtuam, por shkurtimisht, meqenëse takimi ynë sot ishte, le të themi më parë për makro Shengenin shqiptar sesa për mini Shengenin Ballkanik”, tha Kurti pak kohë më parë.