Ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme merr statusin e të penduarit dhe rrëfen të gjitha “mëkatet” e qeveritarëve shqiptarë. Almir Rrapo, i ekstraduar në fshehtësi të plotë pak muaj më parë pas këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbahet në ruajtje të rreptë në burgjet e këtij vendi dhe në mbikëqyrje nga Byroja federale e Investigimit, FBI.
Nga burime te besueshme mesohet se tashmë ish-sekretari i zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ka rrëfyer gjithçka për krimet e kryera në trafik, grabitje, vrasje në zonën e Bronksit dhe Nju Jork, duke kaluar në fazën e dytë, të rrëfimit të lidhjeve të politikës shqiptare me mafian e vendosur në vendin përtej oqeanit. Almir Rrapo ka nisur të rrëfejë të gjitha afërsitë e tij me politikën shqiptare, si u kthye në 2005 pas vrasjes së Erion Shehut, në Shqipëri. Si iu fsheh drejtësisë amerikane edhe pse shumë i kërkuar për krime të rënda.
Si e punësoi ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta si këshilltar e sekretar. Lidhjet me të dhe njerëzit e kryeministrit Sali Berisha. Punët që kryenin dhe bënte për qeverinë si i infiltruar në zyrat e shtetit. Rrapo akuzohet se në bashkëpunim me klanin Krasniqi në SHBA zotëronte tregun e trafiqeve të drogës SHBA-Kanada-Evropë. Gjithashtu ishte i përfshirë në grabitje, kërcënime, plagosje dhe vrasje të anëtarëve të bandave rivale për zotërimin e tregut. Aktualisht është e provuar vrasja e Erion Shehut në 2005, emigrant dhe për të cilën Rrapo rrezikon burgun përjetë deri në ekzekutim me vdekje.
Por në këmbim të jetës Rrapo po u rrëfen si i penduar gjithçka hetuesve të FBI-së. Burimet thonë për agjencinë tonë të lajmeve se deri tani ish-sekretari ka rrëfyer gjëra tepër interesante, ku FBI ka sigluar emra politikanësh të mazhorancës të përfshirë në këtë aktivitet kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës. Rezultatet e hetimeve pritet të dalin së shpejti gjatë gjykimit dhe veprimeve hetimore që do kryejë FBI.