Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se ka përfunduar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Thaçi ka pohuar se Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.
“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ai ka thënë se duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. “SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë”, ka shkruar Thaçi.