Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht fotot e presidentit Ilir Meta me dy eksponentë të botës së krimit, Xhevdet Troplinin dhe Altin Hajrin, teksa ndodhen duke festuar e ngritur dolli tek pista “Ventus Harbor” në Durrës në zonën e “Vollgës” që ish-deputeti Lefter Koka ka në pronësi.
Fotot ekskluzive mendohet të jenë bërë në korrik 2017, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qeshorit, ndërkohë që Ilir Meta ishte president i emëruar, dhe mendohet se “sebepi” ishte për të festuar fitoren e Lefter Kokës i dalë deputet nga këto zgjedhje. Vëllai i Lefter Kokës, Leonard Koka jep një tjetër version kur thotë se fotografitë i përkasin një feste me rastin e ditëlindjes së vëllait të tij, Lefterit dhe nuk i përkasin muajit korrik, por gusht.
Në këtë tryezë miqësore të mbushur me ushqime dhe alkool, presidenti Ilir Meta ka në krah Xhevdet Troplinin.
Në njërën nga fotot ekskluzive Meta shfaqet duke ngritur dolli teksa në krah ka pikërisht Xhevdet Troplinin, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe subjekt i OFL-së që duhet të justifikojë pasurinë.
Në foton tjetër shfaqet Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit dhe ish-deputet i LSI-së, krah për krah me Altin Hajrin.
Ndërkohë në një foto që ka panoramë të gjithë tryezës, Meta e ka përballë Altin Hajrin dhe në krah të tij, si mikritësin e kësaj tryeze, Xhevdet Troplinin.
Nga pozicioni që janë ulur në tavolinë, duket që organizatori i festës është Xhevdet Troplini, i cili është ulur pikërisht mes Lefter Kokës që ka rastin për të festuar, dhe Ilir Metës, i ftuar si president dhe lideri që drejtoi gjithë fushatën e LSI-së, edhe pse ishte emëruar kryetar shteti. Pra fotoja lë shumë të kuptohet se nuk është një prezencë rastësore e Xhevdet Troplinit në këtë tryezë, ku shfaqet i pozicionuar në mesin e dy personazheve kryesorë të festës.
Altin Hajri është pronari i kompleksit luksoz “Golden” në Shijak, që u kthye në skenën e krimit më të rëndë të ndodhur së fundi në Shqipëri, pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar, tashmë i sekuestruar me vendim gjykate. Hajri rezulton i shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës pas prishjes së pazarave të kokainës nga vëllai i Prengës në Angli dhe bandave që udhëheqin trafikun e drogës nga Shqipëria, mes të cilëve edhe Hajri.
Ndërkohë Leonard Koka, vëllai i ish-deputetit të LSI, Lefter Koka, ka shatazhuar botuesin Carlo Bollino pas publikimit të fotove që tregojnë presidentin e republikës Ilir Meta në një darkë në krah të dy trafikantëve të drogës Xhevdet Troplini dhe Altin Hajri. ”Unë kam shumë foto Karlo, për ty dhe për ata që paguajnë ty”, shkruan mes te tjera Nar Koka në një mesazh me ofendime që ja ka besuar për publikim një gazetari të Syri.net. Leonard Koka gjykoi me te rëndësishme te saktësojnë se dy trafikantët nuk ishin aty për të festuar fitoren e LSI-së në zgjedhjet e qershorit 2017, por për të festuar ditëlindjen e Lefterit. Asnjë shpjegim nga ana e tij për praninë e dy trafikantëve në atë tavolinë.
Pjesa më e madhe e portaleve dhe të mediave kryesore shqiptare nuk i kanë publikuar këto foto. As PD nuk ka reaguar deri tani dhe as Doktor Berisha i cili është gjithmonë i gatshëm të publikojë çdo gjë nga plehrat. Tani le të shohim nëse shoqatat e gazetarëve do të reagojnë ndaj këtij shantazhi publik që përmes një medie i bëhet një medie tjetër që guxon të denoncojë me fakte dhe foto lidhjet mes krimit dhe politikës.