NGA RIGELS SELIMAN
Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje në kritika shumë të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ka marrë rrugët për të rrëzuar qeverinë, ndërsa Rama e ka bërë të qartë se halli i Metës është drejtësia e re. Dikur edhe pse doli me zë e figurë duke folur për pazare me 700 mijë euro, presidenti Meta arriti të dalë i pafajshëm nga sistemi i drejtësisë.
Një ditë përpara se të jepej vendimi nga Gjykata e Lartë, Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha darkuan bashkë tek vila në Gjirin e Lalëzit, ç’ka tregoi qartë se ishte mbyllur vendimi për pafajësinë e tij.
Por dje shefi i qeverisë shqiptare i ka dërguar një mesazh të qartë kreut të shtetit, teksa është shprehur se ka ikur koha e pazareve për t’i shpëtuar drejtësisë, ndërkohë që ka theksuar se Meta ka të drejtë që po shqetësohet, pasi ditë të zeza po vijnë. Nga foltorja e Parlamentit, Rama zbuloi se po vjen koha e llogaridhënies dhe se gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, sipas tij, nuk mund të jenë më mburojë për pushtetarët e përfshirë në afera. “Shumë kanë të gjitha arsyet që ta shohin këtë moment në historinë e vendit tonë si një moment “o sot, o kurrë!” dhe kanë të gjitha arsyet.
Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si në një moment “o sot, o kurrë”, sepse sot, vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më pafshishme me gomën e pazareve politike, kur vjen puna te drejtësia, sepse sot, gjykatësit e prokurorët e korruptuar nuk janë më garanci, siç kanë qenë për 30 vjet, por janë dhe do të jenë çdo ditë e më shumë në hallin e tyre, sepse sot është marrë një vendim solemn, në ekstrem, nga kjo qeveri dhe nga kjo shumicë, për t’i dhënë një dërrmë përfundimtare krimit të organizuar”, tha ai.
Politikanët do të japin llogari para drejtësisë! Duke folur më tej në foltoren e Parlamentit, kryeministri Edi Rama e vuri gishtin edhe tek politikanët, për të cilët theksoi se do t’iu vijë të gjithëve radha, që nga ai i pari, që të provojnë se nuk vijnë nga zullumet dhe si i kanë vendosur pasuritë. “Ju mos u shqetësoni fare, sepse, në radhë të parë, që do të vijë dita, do të vijë, është më afër sesa duket për të gjithë ne këtu. Unë i pari, pastaj për të gjithë të tjerët këtu, por edhe për ata që janë jashtë do të vijë dita që do të duhet të provojnë që nuk vijnë nga zullumi.
Unë mezi e pres atë ditë, sepse ndryshe nga ç’flitet këtu dhe më vjen shumë keq, sinqerisht, kur shoh edhe disa nga ju, që përtej të gjithë kritikave që keni, kundërshtive që mund të keni, mllefit që keni, i bëni një dëm shumë të madh vetes tuaj, kauzës suaj, e cila është si puna e atyre sferave me helikopter dhe politikës në tërësi, duke u drejtuar këtej dhe duke thënë “ju kriminelët”, “ju bëni telefon me ata”, “ju… ju… ju…”. Nuk ka “ju… ju…”. Këtu e keqja dhe balta i bie të gjithëve, ndërkohë që nuk jemi të gjithë njësoj. Mund të kemi mustaqe, por i kemi ndryshe, p.sh, edhe aty ku duket sikur kemi të njëjtën gjë”, u shpreh ai.
Presidenti dhe opozita palë me krimin
Por akuzat e kryeministrit Edi Rama në adresë të presidentit Ilir Meta nuk ndalen këtu. Nga foltorja e Parlamentit, shefi i ekzekutivit shqiptar teksa i është përgjigjur të gjithë skeptikëve lidhur me goditjen e pasurive përmes anti-KÇK, zbuloi se nga Presidenti Meta tek Avokati i Popullit janë rreshtuar kundër qeverisë për t’i dalë në mbrojtje elementëve të krimit të organizuar. “Si ka mundësi që pikërisht kur shfaqet më e qartë, më e thellë dhe më e fortë se asnjëherë në tre dekada, vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar, ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat, tek i ashtuquajturi President i Republikës, nga opozitat këtu pak çaste para meje dhe atje në rrugë, deri te Avokati i Popullit, për t’iu qarë hallin këtyre “të shkretëve” që kanë vrarë, kanë përdhunuar, kanë trafikuar çfarë kanë mundur, kanë grabitur pronat sa kanë mundur, kanë shantazhuar sa nuk merret as me mend njerëzit e zakonshëm dhe sipërmarrësit e këtij vendi dhe që me demek tani po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.