Lulzim Basha vijon të dëshmojë se nuk e mbështet presidentin Ilir Meta me strategjinë revolucionare që ky i fundit ka zgjedhur të ndjekë. Meta kërcënoi me mësymje në Parlament dhe të mërkurën priti në një takim kryedemokratin Basha, për të qenë në koherencë me njëri-tjetrin në lidhje me vijueshmërinë e aksioneve të presidentit dhe të opozitës.
Sakaq nga ana tjetër Basha vijon të tregojë se u ka dhënë fund protestave të dhunshme dhe e vetmja rrugë që ai thekson janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, duke e bërë kësisoj të qartë distancimin nga dhuna që kërkon Meta. Gjatë takimit të mbajtur në Shkodër, Basha u pyet në lidhje me thirrjet e presidentit. Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se do të vijojë duke luftuar ndaj qeverisë, por vetëm në mënyra demokratike. Edhe më herët Basha e ka shprehur se e vetmja rrugë që opozita do të ndjekë janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, pasi e pa se me protesta të dhunshme nuk arriti asgjë, ashtu sikurse nuk arriti as me djegien e mandateve.
Në kuadër të nismës së PD “Po të dëgjoj”, Basha po vijon takimet nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Dje ai ka qenë në Shkodër nga ku u shpreh se PD do të bëjë çdo gjë për shporrjen e tiranisë dhe fitoren e demokracisë, me të gjitha format dhe mënyrat demokratike. “Shporrja e Tiranisë dhe fitorja e demokracisë është objektivi i Partisë Demokratike dhe për këtë do bëjmë çdo gjë. Me të gjitha format dhe mënyrat demokratike”, u shpreh Basha. Vlen të theksohet se pavarësisht pranisë së tij në tubimin e 2 marsit të presidentit, kryedemokrati Basha qe mjaft i distancuar dhe nuk mbajti asnjë fjalim. Këtë qëndrim të tij e ironizoi edhe kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, teksa tha se Basha po bën rolin e figurantit.
Dhe duket se rruga që ka zgjedhur Basha për të ardhur në pushtet nuk është e dhunshme. Basha duket se po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme dhe ka nisur fushatën politike nëpër qytete me banorët, me tregtarët, me studentët, ku ashtu sikurse në fushatë ka nisur edhe me premtimet, çka tregon qartë se e vetmja rrugë që Basha sheh si mjet për të ardhur në pushtet janë zgjedhjet. Basha ka bërë një sërë premtimesh teksa ka kryer vizita në qytete të ndryshme. Ai u ka premtuar studentëve se do të rrëzojë Ligjon e Arsimit të Lartë kur të vijë në pushtet. U ka premtuar bizneseve të vogla se do të ulë taksat. Mesa duket Basha është duke bërë gati terrenin.