Nga Bledi Mane-Public Enemy
Pa gdhirë ende dita kur nxirrja e natës fillon të zbehet në ngjyrë gri, nuk shfaqet rezja e parë e diellit por dëgjohen vajtimet e kobshme të tre burrave.
Të pagjumë gjithë natën, ata qëndrojnë fshehur pas skutave të qytetit dhe përgjojnë kush teshtit, kush lëngon nga dhimbjet, kush kollitet, kush jep shpirt e kush vdes.
Mbajnë shënime mbi brazdat e trurit të tyre të mbrapshtë dhe pa dalë dielli i mëngjesit vënë kujen. Të gjallët duan ti sëmurin me pa hir e ti fusin nën dhé, të vdekurit i nxjerrin nga varret dhe i shëtisin rrugëve të çmendurisë vetjake.
Tre burra, tre prindër, tre mjekë që shkelur mbi humanizëm dhe betim Hipokrati zgjohen e ngrysen e ngrysen e zgjohen vetëm me fjalën e kobshme në gojë.
Dëshpërohen kur shërohet pacienti dhe gëzohen kur vdekja rrëmben të pafatin. Luten nëpër natë në humbëtirën e cinizmit e të egos së tyre të thartuar dhe i bëjnë thirrje çdo sëmundjeje, çdo tumorri, çdo virusi e çdo kolere të vijë e të pllakosi mbi Shqipëri.
Harrojnë misionin e shëruesit, harrojnë se kanë familjarë, të afërm, miq, komshinj dhe inatin personal që kanë me Edi Ramën duan ta konvertojnë në epidemi kombëtare.
Njëri quhet Tritan, i përdhunuar në mënyrë vegjetariane ndërsa dy të tjerët kanë të njëjtin emër. Madje të dy Petritët aderojnë në të njëjtën parti aleate me partinë e Tritanit.
Këto tre muajt e parë të këtij viti të tre së bashku kanë marrë në dorë flamurin e panikut nacional të Coronavirusit dhe nuk ndihen të qetë derisa edhe këtu te ne të pllakosë gjëma.
Tre mjekë që nuk përhapin me urtësi masat mbrojtëse por ropaten e mezi presin deri sa të sëmuremi të gjithë. Tre mjekë, tre prindër, tre burra të moshuar të verbuar nga mallkimi i tyre dhe harrojnë që Coronavirusi po bën gjëmën mbi pleq si këta të tre.