Rikthehen debatet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Ditën e djeshme kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri raportoi në Komisionin parlamentar të Ligjeve, mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2019. Gjatë raportimit të tij, Zguri pranoi se 2019 ishte një vit i vështirë, pasi sipas tij, përplasjet politike dhe bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës përfshihu në vorbullën e vet edhe KQZ.
Zguri foli për një sërë çështjesh të rëndësishme, siç janë vëzhgimi i zgjedhjeve vendore, regjistrimi i kandidatëve dhe dekriminalizimi, administrata zgjedhore, e deri te financimi i partive politike. Për këtë të fundit, deputeti socialist Bashkim Fino, i cili ishte edhe relatori, ishte mjaft kritik, duke deklaruar se PD-LSI janë financuar nga buxheti i shtetit në mënyrë të paligjshme, sepse sipas tij ata deklaruan vetë bojkotin e procesit zgjedhor. Por Fino nuk i kurseu kritikat as për presidentin Ilir Meta, i cili për më shumë se një vit ka qenë hapur në krah të opozitës dhe jo mbi palët. “2019 ishte një vit i pazakontë.
Ne e kishim parashikuar këtë periudhë. Bojkoti nga zgjedhjet dhe nga Kuvendi i partive opozitare u kombinua bukur edhe me lajthitjen e presidentit, i cili tashmë është në procesin e komisionit hetimor, ku po hetohet për shkeljet kushtetuese. Gjatë vitit që lamë pas, KQZ bëri një punë të mirë, sa u takon KQV-ve. Opozita është vetëkarantinuar, pra është mbyllur në vetvete që para një viti. Tani pyetja ime që shtohet është se pse KQZ ka paguar me shumën prej 65 milionë lekë PD-LSI nga buxheti i shtetit, kur ato deklaruan dhe u dit botërisht se ato nuk do të hynin në zgjedhje? A duhet ti kthejnë fondet këto parti”, u shpreh deputet socialist Bashkim Fino.
Shpërndarja e Parlamentit
Por një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ditën e djeshme ishte edhe zëvendësimi i deputetëve të rinj. Kreu i shtetit ka shantazhuar kohët e fundit me shpërndarje të Parlamentit, me pretekstin se nuk është kuorumi i deputetëve dhe se për ta nuk janë ndjekur procedurat e nevojshme ligjore për zëvendësim. Për këtë pikë mjaft të diskutuar, deputeti i opozitës në Parlament, Korab Lita pyeti kreun e KQZ se çfarë standardi është përdorur për zëvendësimin e deputetëve dhe se a janë përdor të gjithë mekanizmat ligjorë për dekriminalizimin. “Çfarë standardi keni përdorur për ne deputetët e rinj në Kuvend?
A është zbatuar ligji i dekriminalizimit nga ana e KQZ”, tha Korab Lita. Në përgjigjen e vet, Zguri u shpreh se për zëvendësimin e deputetëve pas bojkotit të PD-LSI, KQZ ka zbatuar 100 për qind ligjin. “100% është zbatuar ligji për zëvendësimin e deputetëve të rinj. Edhe pse ka qenë një vit i vështirë, ne ja kemi dalë të shqyrtojmë formularët e dekriminalizimit dhe kemi kërkuar edhe informacione nga institucionet përgjegjëse”, tha kreu i KQZ, Klement Zguri. Me këtë deklaratë, Zguri i dha një goditje Metës, duke rrëzuar pretendimet e tij për paligjshmërinë e deputetëve të rinj në Kuvend. Po ashtu, edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i kërkoi “llogari” kreut të KQZ, nëse kanë sugjerime konkrete për personat me rekorde kriminale që të mos jenë më pjesë e subjekteve politike. Në lidhje me këtë pyetje, Zguri tha se propozimet konkrete KQZ ia ka dorëzuar Kuvendit./ELISJEDA KIKO