Qeveria shqiptare duket se do të kthehet në makth për zyrtarët e korruptuar. Pak ditë më parë Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim përmes të cilit i ka hapur rrugë ngritjes së dy njësive Antikorrupsion dhe Antievazion. Por ditën e djeshme ky vendim është publikuar në faqen zyrtare.
Teksa mes të tjerash thekson se Inspektorati i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të kenë rol kryesor gjatë hetimeve që do të ndërmerren nga Njësia Antikorrupsion dhe Antievazion. “Me ftesë të Komitetit Kombëtar kundër Korrupsionit dhe Evazionit mund të marrin pjesë Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Inspektori i Përgjithshëm i
Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave; Komiteti mblidhet me kërkesë të Kryeministrit, të paktën një herë në 3 (tre) muaj; Njësia bashkëpunon me struktura të vendeve të tjera përgjegjëse për çështjet antikorrupsion, sipas marrëveshjeve të lidhura për këtë qëllim. Në këtë rast, marrëveshjet bëhen nëpërmjet ministrit të Drejtësisë; Ministria e Drejtësisë, me qëllim zbatimin e këtij vendimi, nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Posaçme për nxitjen e bashkëpunimit me Njësinë për çështje të antikorrupsionit dhe antievazionit”, thuhet në VKM.
Më tej, sikundër thuhet në vendimin e qeverisë, njësitë Antikorrupsion dhe Antievazion bashkëpunojnë edhe me koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit për hetimin e praktikave korruptive apo abuzive. “Ndjek dhe zbaton detyrat e përcaktuara nga Komiteti Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe Evazionit dhe e informon këtë të fundit për masat e marra kundër korrupsionit, ndjekjes së çështjeve dhe rasteve të dyshuara për korrupsion e paligjshmëri; Ofron shërbime këshillimi, të ekspertizës e të trajnimit, në bashkëpunim me institucionet publike e private, në seminaret dhe takimet e punës për njohjen e legjislacionit në fuqi në fushën e parandalimit e të luftës kundër korrupsionit, si dhe promovon praktikat e mira; Bashkëpunon me Koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe Rrjetin e Koordinatorëve Antikorrupsion për ndjekjen, analizimin dhe trajtimin e praktikave korruptive apo abuzive”, thuhet në VKM.