Koronavirusi po shtrihet në të gjithë botën dhe po shndërrohet në një rrezik serioz për të gjithë.
Aktori Tom Hanks thotë se ai dhe gruaja e tij, aktorja Rita Wilson, janë diagnostikuar gjithashtu me koronavirus.
Në një deklaratë të postuar në Instagram, Hanks tha që ai dhe gruaja e tij po udhëtonin në Australi kur u testuan pasi shfaqën simptoma si lodhje, dhimbje trupi, të dridhura dhe “ethe të lehta”.
“Epo, tani. Çfarë të bëjmë?”, tha Hanks, duke shtuar se: “Zyrtarët e Mjekësisë kanë protokolle që duhen ndjekur. Ne do të vëzhgohemi dhe izolohemi për aq kohë sa kërkon për tw mos dëmtuar shëndetin dhe sigurinë publike. ”
Zëdhënës të Warner Bros konfirmuan për mediat se aktori ishte në Australi për çështje pune para-prodhimit të një filmi të ri.
“Ne po punojmë ngushtë me agjencitë e duhura të shëndetit Australian për të identifikuar dhe kontaktuar këdo që mund të ketë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me individin,” tha Warner Bros në një deklaratë. “Shëndeti dhe siguria e anëtarëve të kompanisë sonë është gjithmonë përparësia jonë kryesore, dhe ne po marrim masa paraprake për të mbrojtur të gjithë ata që punojnë në prodhimet tona filmike në të gjithë botën.”
Ndërkohë, Hanks tha që ai dhe gruaja e tij “do ta mbajnë botën të azhurnuar duke postuar më tej rreth vijimësisë së situatës”.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, aktualisht ka më shumë se 120 raste të konfirmuara të koronavirusit në Australi.