Nga dita e nesërme (e premte) në orën 06:00 deri të dielën në mesnatë do të pezullohet edhe qarkullimi i automjeteve private në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë. Që do të thotë askush duk do të ketë mundësi për të lëvizur me makina private brenda për brenda këtyre qyteteve, të paktën deri të dielën në mesnatë, nëse nuk do të ketë një urdhër të dytë.
Një urdhër ky drastik, por shumë i domosdoshëm që u morr ditën e sotme nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend, pas konfirmimit të mbi 10 rasteve. Të vetmet automjete që do të lëvizim do të jenë autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra. Duke kërkuar ndjesë për një vendim të tillë, për shkak se prek shumë mijëra qytetar, kryeministri Edi Rama thekson se e gjitha bëhet për t’i mbrojtur ato në këtë betejë me një armik të padukshëm që tashmë ka hyrë i “paftuar” në vendin tonë.
Ai u drejtohet me një lutje për bashkëpunim të gjithë shqiptarëve, në këtë “luftë”, për të cilën thekson se nuk është në dorën e një njeriu. Ajo që gjithsecili ka në dorë, thekson Rama, është ta lodhim virusin derisa ta mundim duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe me ndihmën e zotit, të diellit e të rritjes së temperaturave!
Ndërkohë, nga sot në mesditë, nuk ka më as transport urban në Tiranë dhe në qytetin e Durrësit, teksa po bëhet gati transporti i dedikuar për mjekët dhe infermierët të cilët janë të detyruar të lëvizin për t’i shërbyer qytetarëve.
Deklarata e plotë e kryeministrit Rama
Ndjesë 1000 herë po kjo luftë nuk fitohet ndryshe. Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe atyre të transportit ndërurban, drejt tiranës dhe durrësit apo anasjelltas nga tirana dhe durrësi drejt zonave të tjera të vendit
Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në tiranë e durrës, si dhe transporti ndërurban mes tiranës e durrësit. Nga e premtja në 06.00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë. Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra.
Këto masa ekstreme kufizimi të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë. Ky është një “grip” që do të prekë shumë prej nesh! 80% e atyre që do të preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë. Kjo do të thotë se gjithkush nga ne mund ta ketë, prandaj edhe pse nuk ndjejmë asgjë, na takon të gjithëve të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nesh, sepse po e transmetuam tek ata u kemi “ bërë peshqesh” një hall të madh
Ndër ata që kanë shenja, janë shumë më pak ata që bëhen për spital, sepse shumica e kalon me sikletet e një gripi të zakonshëm dhe prej atyre që përfundojnë në spital shumica shërohen, por prapëseprapë askush nga ne nuk mund dhe nuk duhet të verë bast me probalitetin tejet të ulët që ai/ajo apo i afërmi i tij/saj të hyjë tek ata që mund të humbasin edhe jetën! Në asnjë mënyrë jo. Kurrën e kurrës! Frikë aspak, kujdes po! Shumë fare madje! Kam besim dhe kini besim: nuk kemi në dorë ta vrasim armikun e padukshëm që na rrotullohet të gjithëve, duke kërkuar pengje në shtëpitë tona, po kemi në dorë ta lodhim derisa ta mundim duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe me ndihmën e zotit, të diellit e të rritjes së temperaturave!
Përveç vetëdijësimit sa më të shpejtë, kufizimit sa më drastik të lëvizjeve të përditshme, respektimit të këshillave të autoriteteve shëndetësore dhe solidaritetit kombëtar, duke u bërë njësh shtet/qytetarë, asgjë tjetër s’na duhet dhe asgjë tjetër s’na ndihmon dot. Besim motra e vëllezër besim, ne do ta mundim koronën dhe do të dalim më të fortë nga kjo luftë, siç dolëm nga goditja e tmerrshme e tërmetit”, shkruan Rama.