Nga ora 06.00 e mëngjesit të sotëm, asgjë në rrugët e Shqipërisë nuk i ngjante një situate normale me të cilën jemi mësuar në përditshmërinë tonë. Rrugët e boshatisura, me automjete aq të pakta në numër saqë nuk e shuajnë ndjesinë dhe panoramën e një shtetrrethimi. Në rrugë, efektivë të shumtë të policisë dhe forca të ushtrisë, për të kontrolluar nëse qytetarët që kanë dalë me automjete kanë autorizim nga Policia e Shtetit dhe një arsye të mirëjustifikuar. Kjo situatë pritet të jetë deri të dielën në mesnatë.
Dje kryeministri Edi Rama shpalli masat ekstreme kufizuese për parandalimin dhe mbrojtjen nga koronavirusi. Automjetet private, taksitë dhe transporti urban janë pezulluar në 8 qarqe për tre ditë, në një izolim të domosdoshëm, që si vende të tjera në botë të prekura nga koronavirusi, po e sulmojnë atë duke qëndruar në shtëpi, duke shmangur kontaktet me grumbullime njerëzish, dhe mbi të gjitha, duke respektuar rregullat e rekomanduara nga OBSH për higjienën personale.
Deri më tani, po shihet një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve. Pritet të shihet nëse ky ndërgjegjësim do të vijojë për të mirën e gjithsecilit prej nesh, e mbi të gjitha për shëndetin e të afërme të moshuar, prindërve e gjyshërve tanë, që janë edhe më të rrezikuar nga infektimi dhe pasojat fatale nga COVID-19.
Eshtë ndoshta hera e parë që Shqipëria është izoluar nga frika e një virusi dhe po kalon këtë situatë, për të cilën të gjithë shpresojmë të japë rezultat dhe të shërbejë si një masë e rëndësishme për të frenuar sadopak përhapjen e COVID-19, që ka marrë jetën e parë në vendin tonë dhe ka prekur mbi 30 persona.
Edhe pse nuk bën pjesë në 8 qytetet me masa ekstreme qarkullimi i automjeteve ka rënë ndjeshëm. Gjithçka shfaq qetësi dhe pa lëvizje këmbësoresh e lëvizje shumë të pakta automjetesh. Korça është ndërgjegjësuar, qytetarët kanë qëndruar në shtëpi për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre nga koronavirusi.
Korça sot duket e boshatisur. Nga një vëzhgim në qytet dhe në pikat më të frekuentuara siç janë Pazari i Vjetër, pedonalja, baret, kafetë të gjitha janë bosh. Të vetmit që sheh dhe që janë të pakët janë qytetarë që iu është dashur të dalin për një arsye, por të pajisur me maska doreza dhe gjithmonë evitojnë kontaktet e afërta. Edhe drejtuesit e automjeteve janë të pajisur me maskë. Ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e bizneseve kanë ulur qepenat dhe kafet janë boshatisur thuajse 100%.