Një grup vendesh të Bashkimit Europian ka rënë dakord të marrin të paktën 1600 fëmijë emigrantë në Greqi, që kanë udhëtuar pa prindërit e tyre, të miturit e parë të pashoqëruar që ka të ngjarë të gjejnë shtëpi në Luksemburg menjëherë javën e ardhshme, tha të premten Komisionerja e Çështjeve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson.
Aktualisht ka mbi 42.000 migrantë që jetojnë në kampe të mbipopulluara në ishujt grekë, duke përfshirë rreth 5500 të mitur të pashoqëruar. Sipas Europol-it, rreth 10 për qind e tyre janë më të vegjël se 14 vjeç.
Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu dhe Portugalia kanë ofruar t’i pranojnë ato, dhe Johansson tha se të paktën dy vende të tjera shprehën interes për t’u përfshirë, gjatë një takimi të premten të ministrave të Brendshëm të BE-së.
Në fillim të kësaj jave, Johansson tha që fëmijët emigrantë që udhëtojnë vetëm “përballen me dhunë, abuzim dhe shfrytëzim. Shumë prej tyre thjesht zhduken nga qendrat e azilit dhe pritjes dhe ne nuk dimë se ku janë. Kam frikë se shumë prej tyre bien në duart e kriminelëve”.
Johansson tha se autoritetet greke i kanë thënë asaj se shumë prej tyre po shkojnë çdo ditë në shkollë, megjithëse disa janë duke u larguar, disa prej tyre kanë zgjedhur të provojnë aftësimin profesional. Ajo tha se “shumë po jetojnë në kushte mjaft të rregullta”, por disa dalin nga radari.
Më të lexuarat