Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se administrata e tij tani është e gatshme të fillojë testimin masiv të popullatës, pas kritikave të marra për shkak të reagimit të dobët ndaj koronavirusit.
“Janë bërë disa ndryshime dhe së shpejti do të fillojë testimi në një shkallë shumë të gjerë. Të gjitha shiritat e kuq janë prerë, gati të fillojmë”, shkroi Trump në “Twitter”.
Trump u përpoq të fajësojë Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), institucionin kryesor shëndetësor publik të vendit, për dështimin për të zgjidhur problemin e testimit.
“Për dekada të tëra @CDCgov vështroi, dhe studioi, sistemin e tyre të testimit, por nuk bëri asgjë në lidhje me të. Do të ishte gjithnjë e papërshtatshme dhe e ngadaltë për një pandemi të shkallës së gjerë, por ata shpresuan se një pandemi nuk do të ndodhte kurrë”, tha Trump.
Trump më pas iu drejtua një prej objektivëve të tij të preferuar, ish-presidentit Barack Obama, duke e akuzuar atë për përkeqësimin e situatës.
“Presidenti Obama bëri ndryshime të cilat vetëm komplikuan gjërat më tej. Përgjigjja e tyre ndaj gripit të derrit H1N1 ishte një katastrofë në shkallë të plotë, me mijëra të vdekur dhe asgjë e nevojshme nuk ishte bërë për të zgjidhur problemin e testimit, deri tani”, tha ai.
Administrata e Trump-it është vënë në shënjestër të kritikave për mungesën e seteve të testimit, ku disa shtete thonë se autoritetet federale duhet t’i lejojnë ata të zhvillojnë testimet.
Pothuajse 30 shtete amerikane kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të shpërthimit të virusit, i cili deri tani ka marrë 37 jetë dhe ka infektuar mbi 1700 të tjerë.
Më të lexuarat