Ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka bërë një lidhje direkte me emisionin Studio Sprint në ABC News. Cana foli për situatën aktuale që është krijuar nga Koronavirusi, si dhe pati një mesazh për të gjithë popullin shqiptar.
IZOLIMI – “Po, kam pasur mundësi që të flas 2-3 herë për mediat, që nga dita kur kemi filluar izolimin.
Tani ne jemi futur pothuajse në ditën e gjashtë të izolimit dhe pak a shumë, po mundohemi të kalojmë kohën në ambientin familjar dhe duke ndjekur zhvillimet çfarë po ndodh në Itali, Shqipëri, Kosovë dhe vendet ku jetojnë shqiptarët”.
FUTBOLLI – “Jo vetëm futbolli, por gjithçka që nuk ka të bëjë me sigurinë e njerëzve, sigurinë e shëndetit, patjetër që kalon në plan të dytë.
Sigurisht, futbolli është një lloj magjie, spektakli, një sport i cili luhet për njerëzit, të bën të ëndërrosh, të kënaqesh, të gëzon. Sigurisht, kur është një situatë e tillë, futbolli kalon në plan të dytë”.