Përplasje të ashpra deklaratash janë shënuar sot midis ShBA dhe Rusisë ku “mollë sherri” midis dy vendeve duket se është Siria.
Presidenti i SHBA Donald Trump reagoi sot pas deklaratës së ambasadorit të Rusisë në Liban se i cili tha se Moska do të rrëzonte raketat amerikane, nëse hidhen në Siri dhe se do të hakmerret kundër çdo vendi nga i cili do të nisen raketat.
Në një postim në twitter presidenti i SHBA paralajmëron Rusinë që të “bëhet gati”, pasi SHBA do të godasë me raketa në Siri për të ndëshkuar regjimin e Asad.
“Rusia zotohet për të qëlluar çfarëdo dhe të gjitha raketat që godasin në Siri.
Bëhu gati Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe “të zgjuara”!
Ju nuk duhet të jeni partnerë me kafshën që vret popullin e tij dhe është i lumtur për këtë!”, shkruan Trump.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Moskës zyrtare pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump.
Përmes një deklarate, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se raketat e SHBA duhet të fluturojnë ndaj terroristëve, jo qeverisë së ligjshme të Sirisë.
“Raketat e zgjuara duhet të fluturojnë ndaj terroristëve, jo qeverisë së ligjshme të Sirisë, e cila ka kaluar disa vite duke luftuar kundër terrorizmit ndërkombëtar në territorin e saj”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, raporton RT.
Përplasja e deklaratave midis dy vendeve erdhi pasi më herët Rusia paralajmëroi se do të mbrojë Sirinë nga çdo sulm ajror, pas kërcënimeve të SHBA për të ndëshkuar regjimin e Asad për sulmin e fundit kimik ndaj popullsisë civile.