Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj apelon për më shumë solidaritet nga të gjithë qytetarët të cilët duhet të tregojnë një vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve në situatë rruge dhe të gjithë atyre që janë në vështirësi.
I pranishëm në aktivitetin e organizuar në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët në Situatë Rruge me mbështetjen e Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Rrjeti Shqiptar i Qendrave për Fëmijët në Situatë, Veliaj theksoi rëndësinë për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e fëmijëve, në veçanti atyre në situatë rruge dhe mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi.
Unë e di që Tirana ka shumë probleme, 60 bashkitë e tjera ndoshta akoma më shumë probleme, por dy janë mundësitë, ose kritikojmë dhe tregojmë gishtin tek çdo problem, ose secili prej nesh thotë: Unë çfarë mund të bëj që ta zgjidh. Unë shikoj për herë të parë që shumë e shumë njerëz po afrohen që të vijnë vullnetarë. Mbaj mend, përpara ca ditësh ishim në Shkozë, edhe dy policët tanë të Portokallisë u bashkuan për të shërbyer drekën edhe kështu gjithmonë e më shumë njerëz në publik po thonë, roli ynë nuk është vetëm të bëjmë megafonin e ankesës, por roli ynë është që edhe të marrim përsipër një detyrë, qoftë duke shërbyer një vakt, qoftë duke adoptuar në distancë një fëmijë, qoftë duke ndihmuar një punonjës social apo edhe duke bërë detyrën qytetare për raportimin.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj
Kryebashkiaku Veliaj përmendi suksesin e arritur nga Bashkia e Tiranës për strehimin e komunitetit rom në Shkozë dhe në Lanabregas, duke zgjidhur një problem të mbartur prej më shumë se 28 vitesh.
Mbaj mend 2 vjet e gjysmë përpara ne kemi pasur shuam debate se çfarë do të ndodhte me komunitetin rom tek Liqeni, se çfarë do të ndodhte me komunitetin rom tek bregu i Lumit, se çfarë do të ndodhte me komunitetin rom në Shkozë. Ja ku jemi sot, kemi rezidenca në Shkozë, në Lanabregas do të thotë ku ne të fokusohemi jo te histeria, por te historia se si mund të bëjmë histori, ne mund të zgjidhim kriza që ndoshta kishte 27 apo 28 vite pa zgjidhur. Ky është një moment për t’u thënë të gjithëve bravo ju qoftë, por ama puna më e vështirë dhe më e madhe na pret përpara.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës falënderoi edhe ambasadën e SHBA dhe institucionet partnere të cilat kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës në mbështetje të shtresave në nevojë.
Më vjen mirë që në këtë betejë nuk jemi vetëm. Dua të falënderoj shumë ambasadorin Lu që është këtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kolegët tanë të UNICEF-it, kolegët e OSBE-së, kolegët e Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, këdo që është duke e bërë tani këtë mision edhe besoj që në qoftë se siç kemi punuar në Tiranë, mund të punojmë edhe në qytete të tjera, ne realisht mund të kemi një Shqipëri shumë më dinjitoze tek çështjet e fëmijëve të rrugës.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj
Ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu deklaroi se në një kohë që Shqipëria afrohet edhe më shumë me Bashkimin Evropian, të tregohet një vëmendje e shtuar edhe për fëmijët në vështirësi.
Shqipëria për shumë vite ka pasur një problem, një problem për të mbështetur fëmijët e saj në rrugë. Por ky është një problem që Shqipëria me mbështetjen e partnerëve duhet të jetë e aftë ta zgjidhë. Nuk keni 11 milionë fëmijë për t’u kujdesur, keni vetëm disa qindra. Vendi vazhdon t’i afrohet anëtarësimit në BE shpresojmë që Shqipëria të mund të kujtojë fëmijët e saj. Ata kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, ata kanë të drejtë të mos jenë të uritur, ata kanë të drejtë të mbrohen nga abuzimi. Siç ma mësuan fëmijët e mi, jam gati të mbledh monedhat e mia për të mbështetur UNICEF-in dhe OJQ-të që mbështesin fëmijët e Shqipërisë. Shpresoj se do ta bëjmë bashkë këtë.
Ambasadori amerikan, Donald Lu
Përfaqësuesja e Delegacionit Europian në Shqipëri, Monika Bylate, vlerësoi nevojën për përmirësuar mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për edukimin dhe shëndetin e tyre. Bylate theksoi se fëmijët nuk janë vetëm e ardhmja e Shqipërisë, por edhe e ardhmja e Europës.
Dashuria dhe përkujdesi nuk është gjithmonë i mjaftueshëm prandaj duhet bërë më shumë që të mbrojmë më të dobëtit. Asnjë fëmijë nuk duhet të qëndrojë në rrugë pasi duhet një mbrojtje shoqërore për këta fëmijë. Fëmijët janë e ardhmja e Shqipërisë, por janë edhe e ardhmja e Europës. E ardhmja në Bashkimin Europian, prandaj duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm , kjo është detyra jonë. Normalisht fëmijët nëpër rrugë kanë përfunduar edhe në rrugën e krimit. Duhet t’i nxjerrim nga kjo rrugë e gabuar, nga abuzimi, nga trafikimi. Duhet t’u sigurohet mundësia këtyre fëmijëve nëpër shkolla, nëpër spitale.
Përfaqësuesja e Delegacionit Europian në Shqipëri, Monika Bylate
Robert Wilton, Zv/Kryetar i Prezencës së OSBE në Shqipëri vlerësoi angazhimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe të ministres së MSHMS, Ogerta Manastirliu, ndërsa apeloi për një rol më të madh të shoqërisë në mbështetjen e fëmijëve.
Duhet t’i garantojmë shqiptarëve gëzimin e plotë të jetës së tyre, për shëndet, mirëqenie, shëndet, zhvillim dhe mosdiskriminim. Ne duhet të bëjmë gjithçka për sigurinë e fëmijëve dhe për të ndaluar çdo lloj abuzimi me të drejtat e tyre. Kjo situatë e fëmijëve në rrugë dhe ata që vuajnë dhunën tjetër të abuzimit, kërkon ndërhyrje urgjente politikash dhe mbi të gjitha zbatimin i përkushtimeve. Jam në dijeni për përpjekjen e Ministrisë dhe përkushtimin e saj dhe të institucionit vendor për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e ndërlikuar të parandalimit të fenomenit të mbrojtjes së fëmijëve. Kemi dëgjuar nga kryetari i bashkisë me pasionin e tij të zakonshëm idenë që ne të gjithë duhet të gjejmë rolin tonë në këtë drejtim.