Kryeministri Edi Rama ftoi sot të gjithë të rinjtë për tu bërë pjesë e kompanisë ajrore të Shqipërisë AIR ALBANIA.
Përmes një statusi në Facebook, Rama shprehet se “ambicia jonë është që AIR ALBANIA të bëhet zgjedhja e parë e çdo shqiptari dhe duam që vajza e djem të zgjedhur të këtij vendi, të mikpresin e të shërbejnë në bordin e avionëve të krenarisë sonë kombëtare”.
“A dëshiron të punosh në kompaninë ajrore të Shqipërisë që së shpejti do të ngrejë avionët e saj?
Çdo vajzë e djalë që përmbush kriteret dhe dëshiron të provojë veten në konkursin për një vend në trupën e kompanisë kuqezi, është i mirëpritur”, shkruan Rama.
Kompania “AIR ALBANIA”, në spotin e publikuar fton të rinjtë nga mosha 21-29 vjeç, që kanë aftësi të mira komunikimi të aplikojnë për të nisur punë në këtë kompani.
Krijimi i linjës ajrore Air ALBANIA është një projekt me mbështetjen e posaçme të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të Turkish Airlines.
Air ALBANIA, po programohet me asistencën teknike të kolosit ajror turk dhe do të asistohet në të gjitha nivelet operacionale prej tij.
Falë këtij projekti bëhet realitet një linjë ajrore shqiptare me flamurin kombëtar, ku shërbehet me të njëjtën cilësi, siç shërbehet nga Turkish Airlines.