Nga Rexhinald Hazizaj
Masat mbrojtëse të prodhimit vendas apo metodat e trajtimit fiskal diskriminues ndërmjet produkteve me origjinë të ndryshme janë nga format e hershme të protektionizmit tregtar. Një rast tipik është përdorimi i asaj që njihet si referenca doganore. Legjislacioni shqiptar, në Ligjin Nr. 102/2014, datë 31.7.2014 Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, Nenet 65-70 përmend metodat e vlerësimit doganor për efekt të përcaktimit të vlerës së produktit ndaj të cilës aplikohet TVSH në import apo tarifat e ndryshme doganore. Nëse do të shohim këto gjashtë metoda janë zëvendësuese të njëra-tjetrës në rradhë të mirëpërcaktuar dhe kalimi i rradhës ndërmjet metodave lejohet vetëm në rast të pamundësisë objektive për përcaktimin e vlerës me metodën paraardhëse.
Në aspektin teknik ligji plotësohet nga VKM Nr. 651, datë 10.11.2017 “Për dispozitat zbatuese të Ligjit Nr. 102/2014, Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Udhëzimi i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Nr. 3, datë 23.01.2018 “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore” si dhe Udhëzimi Nr.5, datë 26.01.2018 “Mbi proçedurat standarde të funksionimit të Sektorit të Vlerësimit Qendror dhe Sektorit të Kontrollit Aposteriori Operativ.
Në këto akte trajtohen aspektet teknike të përcaktimit të vlerës mbi bazën e gjashtë metodave të cilat sipas rradhës janë: Metoda 1, “Vlera e transaksionit”, Metoda 2, “Vlera e transaksionit të mallrave identike”, Metoda 3, “Vlera e transaksionit e mallrave të ngjashme”, Metoda 4, “Metoda deduktive”, Metoda 5, “Vlera e llogaritur”, Metoda 6, “Të dhënat e disponueshme” (referenca doganore).
Përdorimi nga autoritetet doganore i metodës së të dhënave të disponueshme, si një praktikë e përhapur për efekt të vlerësimit doganor, përbën një praktikë diskriminuese e shkurajuese në rastin e importeve të produkteve. Kjo shkelje është më e theksuar në raport me mallrat me origjinë nga vendet e BE-së. Në marrdhënien mes BE dhe Shqipërisë, një ndër aktet kryesore në fuqi është Marrveshja e Stabilizim Asocimit (MSA). Kjo marrveshje ndërkombëtare është ratifikuar edhe me ligjin Nr. 9590, datë 27.07.2006 “Për ratifikimin e Marrveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane e shteteve të tyre anëtare”.
Lidhur me temën tonë duhet të marrim në analizë sidomos Nenin 34 – Ndalimi i Diskriminimit Fiskal, ku parashikohet se: “Palët shmangin marrjen e masave ose shfuqizojnë praktikat me natyrë fiskale të brendshme që shkaktojnë drejtpërsedrejti apo tërthorazi diskriminimin ndërmjet produkteve të njërës palë dhe produkteve të ngjashme që e kanë origjinën në territorin e palës tjetër”. Këto dispozita janë të ngjashme në mos identike me dispozitat e Neneve 110-113 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së.
Gjithashtu ka një praktikë tejet të gjerë edhe të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi taksimin diskriminues, ku gjykata thekson se interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në mënyrë të gjerë duke përfshirë cdo praktikë që lë vend për diskriminim . Në çështjen Bergandi GJED theksoi se: “Neni 110 gjen zbatim cdo herë që një detyrim fiskal përpiqet të shkurajojë importimin e mallrave me origjinë nga vendet e tjera anëtare në përfitim të mallrave kombëtare”.
Qëllimi i këtyre dispozitave është mosaplikimi i metodave direkte apo indirekte të taksimit të cilat diskriminojnë produktet identike apo të ngjashmë të vendeve të tjera në kushtet e nje tregu të lirë. Pra thënë thjesht shtetet përmes këtyre masave mos të ngrenë mburoja protektioniste për produktet e tyre të brendshme duke rritur çmimin e produkteve të tjera apo duke vështirësuar futjen e tyre të lirë në treg. Në rastin e Shqipërisë është e vështirë të thuash se praktikat e ndjekura janë në ruajtje të produktit vendas apo thjesht metodë për të rritur të ardhurat në arkën e shtetit.
Edhe pse legjislacioni ynë teknik e njeh metodën e vlerësimit doganor me çmim reference si metodën e fundit të vlerësimit, pra ligjërisht duket sikur vetëm në shumë pak raste do të kishim aplikim të referencës, praktika ndër vite e doganës shqiptare tregon se vlerësimi përmes referencës është një metodë gjerësisht e përhapur. Paraprakisht theksojmë se metoda e ndryshme e përllogaritjes së taksës mbi produktet vendase dhe të importit përbën një formë të disrkiminimit direkt.
Një rast ilustrues është praktika e importimit të produktit bitum nafte. Vendi ynë është prodhues i naftës bruto dhe ka një traditë të përpunimit të saj duke realizuar nënproduktin bitum nafte të një cilësie shumë të mirë. Ky produkt mban kodin 27132000 në Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave të vitit 2020. Duke qënë nënprodukt i naftës, ky produkt normalisht trajtohet me çmim shitje sipas bursës ndërkombëtare Platts. Kjo bursë aplikohet nga dogana shqiptare në zhdoganimin e nënprodukteve të tjera të naftës. Kjo bursë publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare. Në praktikë rezulton që produkti bitum nafte në import trajtohet nga administrata doganore me çmim reference prej 400-450 euro/ton, çmim ky i fiksuar prej disa vitesh dhe lehtësisht i verifikueshëm në faqen http://www.dogana.gov.al/disponueshme/.
Pra TVSH 20% paguhet mbi çmimin referencë prej 400 euro/ton, pavarësisht çmimit të produktit të faturuar rregullisht nga prodhuesi apo tregtari me qendër në një vend të BE-së, kryesisht Greqia. Ndërkohë për prodhuesit vendas aplikohet TVSH 20% mbi çmimin e faturuar të shitjes. Rrjedhimisht, blerja nga këta prodhues vendas është më e lirë në aspektin e sasisë së parave që duhen për të përfunduar transaksionin, ndërkohë importi kërkon një sasi më të madhe inputesh monetare në dispozicion. Pra ekziston një praktikë shkurajuese e gabuar në vlerësimin doganor.
Për sa më sipër, indirekt trajtimi fiskal arrin të diskriminojë të njëjtin produkt me origjinë nga BE duke favorizuar blerjen e brendshme. Legjislacioni jep mjaftueshëm mjete për arritjen e një vlerësimi doganor të saktë, duke filluar që nga çmimi i publikuar i Bursës. Por rezulton se edhe në këtë pikë, administrata doganore nuk disponon apo nuk publikon çmimin e këtij produkti, por vetëm të nënprodukteve të tjera të naftës . Edhe në këtë rast mund të arrihet në vlerësim më të saktë doganor përmes vlerësimit të produkteve të ngjashme hidrokarbure. Dua të theksoj se ky artikull nuk ka aspak për qëllim anatemimin e institucioneve apo antipatriotizmin për produktet vendase, por thjesht zbatimin e normave juridike.
Përfundimisht themi se kemi të bëjmë me një praktikë diskriminuese në shkelje të Marrveshjes së Stabilizim Asocimit dhe se e njëjta “logjikë” mund të përdoret edhe në rast të produkteve të tjera për të cilat kërkohet një hulumtim i thellë apo të cilat do të dalin nga ankesat e subjekteve importuese. Ritheksoj se BE në thelb të saj është një zonë e tregtisë së lirë dhe detyrimisht i kushton një rëndësi shumë e madhë praktikave tregtare.