Nga Bledi Mane
28 vjet më parë një mjekeje pediatre lagjeje, shqiptarët ia votuan burrin. Burri u bë President Republike, mjekja e lagjes Zonja e Parë e vendit. Burri, dalldisi ca nga hakmarrja krahiniste dhe ca nga mosnjohja e pushtetit. Vodhi lekët e miletit me fajde, gjakosi atdheun me 2 mijë viktima dhe ndërkohë u zbyth me votë në qershorin e nxehtë të vitit 1997.
Doktoresha e fëmijëve bashkë me fëmijët e saj biologjikë shkoi u fsheh ca kohë në Itali.
Burri u kthye në opozitë, gruaja u kthye në atdhe dhe për gati 8 vjet ndenjën të dy në vegjetim derisa shqiptarët i votuan e i rikthyen në pushtet. Burri Kryeministër, gruaja Zonjë e Dytë e vendit por përsëri huqin e vjetër nuk e kishin harruar. Thirrja e gjakut i ndërzeu sërish dhe në Gërdec, nëpërmjet grykësisë së djalit të tyre, vranë 36 hallexhinj të pafajshëm dhe 3 vjet më vonë në janar të 2011 vranë edhe katër të tjerë.
Shqiptarët nuk ua falën krimet dhe ashtu si në qershor të 1997, edhe në qershor të 2013 i zbythën përfundimisht. Plakun Sali e nxorrën në Kemp, plakën Lirie e nxorrën në Pension. Duke parë devijimin psiqik permanent të Berishës, mileti fjeti mendjen te urtësia dhe kujdesi i doktoreshës pediatre. Mendonin se kjo e fundit do e mbante nën kontroll burrin pacient të saj por fatkeqësisht të dy këto kohë pandemie janë katandisur në numërues kufomash…
2./
Oj Lirie, oj Liri Berisha. E diplomuar dhe e betuar hipokratikisht si mjeke. Ti sot bashkë me burrin tënd duhet të jepje sikur edhe virtualisht ndihmën mjekësore në gjëmën që i ka rënë Botës, Kontinentit, Atdheut. Oj Lirie, oj Liri Berisha që ke zhveshur përparësen e bardhë të mjekes dhe ke veshur mantelin e zi të mortjes. Foli burrit oj Lirie, mblidhe dhe përmblidhe se çdo natë nga shtëpia juaj spërkasni me teshtimën e kobit plagët e shëruara me vështirësi të këtij vendi. Nxirrni nga mendja drejt gojës duke përcjellë vetëm urrejtje për gjysmë atdheun tuaj dhe harroni se në këtë vend u lindët, u rritët, u arsimuat, u dashuruat, u martuat, lindët pasardhësit, vodhët, vratë, përçatë.
Foli burrit oj Lirie Berisha se ky vend të cilit ia shtoni çdo natë fiktivisht numrin e arkivoleve, është toka ku prehen të parët tuaj, toka ku do preheni ju, pasaardhësit tuaj dhe ne të gjithë bashkë.
Foli burrit oj Lirie se e keni kthyer shtëpinë tuaj në agjenci funerale ku nuk u dalin llogaritë politike-cinike mes mortjes dhe jetës.
Shpërndani optimizëm oj Lirie se e nesërmja do jetë edhe një herë e bukur dhe e gjallë. Saliu do i shkojë në zyrë e do i bërtasë përsëri Lul Bashës, Armina do shkojë në Milano vetëm përsëri ndërsa Shkëlzeni do ta hajë sërish. Do e hajë sërish darkën te shtëpia e Skënder Gjinushit.