Viti 2020 do të jetë më i nxehti. Sipas prestigjiozes “The Guardian”, meteorologët theksojnë se shanset që të ndodhë kjo variojnë nga 50 deri në 75 %, ku temperaturat do të jenë më të larta, duke thyer kështu rekordin e 4 viteve më parë.
Edhe pse pandemia e koronavirusit ka bërë një pastrim të dukshëm të ajrit në shumë vende të botës, kjo nuk ka ndikuar njëlloj edhe në zvogëlimin e efekteve që sjell ngrohja globale.
Kujtojmë se në Janar të këtij viti u regjistrua në Antarktidë një temperaturë rekord prej 20.7 gradë Celcius, një provë bindëse kjo se 2020 ka filluar më i ngrohtë.
Kështu Antarkdita nuk do të jetë më krejtësisht i bardhë kur të shihet nga sateliti, por me copëza të mëdha akulli që tkurren nga viti në vit. Gjithashtu të gjithë akullnajat e rajonit po shkrihen. Rekordi i fundit u shënua më 24 Mars të 2015, kur u regjistrua temperatura 17.5 gradë celsius.
Gjithashtu edhe në Groelandë, shkencëtarët rreth një javë më parë arritën në përfundimin se temperatura në këtë vend është rritur me 6 gradë Celcius.
Në tre mujorin e parë, rritja e temperaturave ishte më e theksuar në Europën Lindore dhe Azinë, ku temperaturat ishin 3 gradë Celsius mbi mesataren.
Tani nxehtësia po përhapet kudo, ku shumë vende të botës këtë vit nuk regjistruan temperatura të ftohta tipike për këto 3 muaj.
Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA ka deklaruar se ky vit po ndjek të njëjtën tendencë si në 2016, kur temperaturat u rritën në fillim të vitit për shkak të fenomenit El Niño dhe pastaj zbritën.