Qeveria ka anuluar dhe shtyrë në kohë disa tendera për shkak të krizës së Covid-19, por tenderi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës nuk bën pjesë në to. Procedurat e ndërprera pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pritet të rinisin së shpejti.
Lajmi është konfirmuar nga Kryeministri Edi Rama, që këtë të premte ishte në një tur vëzhgimi punimesh në infrastrukturë në qarkun nga ku ka dalë deputet. Rinisja e procedurave u la afat 12-ditor nga 60 ditë në total të gjithë ofertuesve, edhe atyre ndërkombëtarë.
“Së shpejti rinis aty ku u ndërpre nga Covidi gara për Aeroportin e Vlorës. Mbeten 12 ditë nga 60 për ofertuesit ndërkombëtar”, shkruan Rama.
Një tjetër projekt nga i cili Qeveria nuk heq dorë është edhe ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat, që opozita e akuzon si projekt korruptiv. Tenderi për ndërtimin e këtij aksi 14 kilometra të gjatë, me vlerë rreth 70 mln euro në total i është dhënë kompanisë “Gjikuria”.
“Më tej nisim Lungomaren 3 drejt Radhimës, aksin e ri Orikum-Dukat, si dhe procesin për Tunelin e Llogarasë, një kompleks kantieresh të reja që çojnë në nivel europian infrastrukturën kryesore të Vlorës dhe krejt zonës turistike të Bregdetit Jonian”, deklaroi Rama.
Orikum-Dukat, e dhënë me koncesion përmes një ligji të miratuar në Kuvend dhe të kritikuar edhe nga Presidenti Ilir Meta, duhej të kishte nisur, por është raportuar se kompania fituese ka vështirësi në sigurimin e shumës financiare të nevojshme për kryerjen e këtij investimi.
Ndërkohë, opozita u ka bërë thirrje bankave që të mos ofrojnë kredi për kompanitë fituese të rrugës Orikum-Dukat dhe të Milot-Balldre, që thotë se janë projekte korruptive për pastrimin e parave të drogës.