Vitet kalojnë me shpejtësi, për ata që e kujtojnë 21 janarin e vitit 2011 si një ngjarje vërtetë të përgjakshme. Por që nuk u ka ndodhur fatkeqësia në shtëpinë e tyre. Por familjet e katër demonstruesave të opozitës së atëhershme të vrarë nga Garda e Republikës para Kryeministrisë me duar në xhepa nuk e harrojnë kurrë. Aq më tepër kur për ata nuk është bërë drejtësi, nuk janë vënë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre katër të pafajshmëve. Për familjet e Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtos, të cilët dolën më 21 janar 2011 për të protestuar kundër qeverisë së “Berishës” duke manifestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet, por mbetën të vrarë, nuk ka paqe. Ata vajtojnë familjarët e tyre më të afërt që mbeten të vrarë nga plumbat e Gardës së Republikës dhe jo vetëm që nuk ka ngushëllim, por për shtatë vite me radhë ata ende kanë të hapura dyert e mortit. Pasi nuk është dënuar askush, nuk është gjetur askush nga ata që dha urdhër dhe kreu këtë masakër, përkundër një komandanti Garde që u dënua sikur të kishte shkelur një gjitar në rrugë e jo të ketë vrarë katër njerëz me urdhër të kryeministrit të tij. Apo dhe të një gardisti të thjeshtë.
Nesër mbushën shtatë vite nga kjo vrasje makabre përballë kryeministrisë dhe askush nuk jep një përgjigjie se kur dhe si do të bëhet drejtësi. Pavarësisht se dosja ka mbërritur në tavolinën e kryeprokurores së re Arta Marku. Dosja e fryrë e 21 janarit të shtatë viteve më parë, ku u vranë katër njerëz të pafajshëm vetëm se protestuan përballë kryeministrisë, në mënyrën më paqësore të mundshme. Ata u vranë vetëm se kërkuan drejtësi, protestuan kundër ‘bllokut’ dhe ‘7 përqindshit’ të Ilir Metës, protestuan kundër vjedhjes së rrugës së Kombit ku Sali Berisha dhe Lulzim Basha zhdukën 230 milionë euro dhe nuk u hyri ferrë në këmbë. Dhe me urdhër të Berishës, Bashës e njerëzve të tyre dhe në mbrojtje të Ilir Metës e Monika Kryemadhit ata u vranë. U vranë në mes të bulevardit përballë kryeministrisë nga njerëzit e shtetit që paguhen me paratë e qytetarëve për të mbrojtur qytetarët, dhe asnjë nuk u dënua.
Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nuk janë në burg. Ndrea Prendi u dënua 1 vit e gjysmë, sikur të kishte ushtruar gjueti pa leje e jo të kishte “gjuajtur” katër njerëz të pafajshëm, në qendër të Tiranës. Jo vetëm që nuk janë në burg, por paralajmërojnë dhe protesta të forta. Pikërisht për të shpëtuar nga burgu Berishën, Metën, Bashën, Kryemadhin dhe tërë njerëzit që abuzuan, vranë dhe masakruan qytetarët shqiptarë. Sa herë që kanë qënë në pushtet.
Kërkojnë të protestojnë një javë pasi katër demonstruesit e pafajshëm të opozitës së atëhershme mbushin shtatë vite që i janë dorëzuar amëshimit. Me plumbat e shtetit, që vrau për të mbrojtur krimin dhe babëzitë e një pushteti eunuk. Drejtësia nuk duhet të heshtë. Shtatë vjetori i vrasjes së katër demonstruesve të 21 janarit të jetë një apel për drejtësinë e re për të bërë vërtetë drejtësi. Dhe për të dërguar prapa hekurave të burgut këta monstra keqbërësish. Të hapet dhe dosja e 21 janarit si dosja e aferës së CEZ, vrasja pa autor e Aleks Nikës e ka klauzolën e hapur, e ndihmon që të rihapet sërish më me forcë dhe zyrtarisht kjo dosje. Thjeshtë një provë më tepër dhe dosja hapet menjëherë. Arta Marku duhet ta bëjë. Strasburgu e ka dhënë “lejekalimin”, partnerët tanë ndërkombëtarë duan ti shohin në burg këta abuzues me paratë e shtetit, fuqinë e shtetit dhe vetë shtetin./Pamfleti.com