Nga Ilir Levonja
Në fakt të gjitha betejat sociale tonat, nuk po përdor terminologjinë, popullore, përfundojnë në legjenda njëshash. Në ca habi kolektive, ku një grup i shqyen sytë grupit tjetër. Të thuash, sikur një dorë e fshehtë ka trazuar ato vendet intime, tonat, që, veç të tilla nuk janë më. Dhe me këtë ”katarsis” që shoqëria jonë po pretendon se po bën, do iki ky apo do iki ai. Do iki i joni apo do iki i yni.
Asnjë nuk do iki. Përkundrazi, ne do solidarizohemi më shumë me ta. Më shumë me pasuritë e tyre. Më shumë do t’i duam, Jaguarët, Tuaregët, a Ferrarit e tyre. Më shumë do duam varfërinë tonë. Më shumë do ia ngulimin gishtin në sy njëri-tjetrit.
A është numri një i shtetit tonë i korruptuar?
Kush nuk është i korruptuar tek ne? Ta marrim nga 1990-ta e këtej. Shikoni vetveten. Shokun. Shikoni fqinjin tuaj, bashkëfshatarin që iku me një valixhe druri në Tiranë. Sa shumë jeni mjaftuar duke thënë. I lumtë, ia gjeti anën. T’i rrojë partia. Sa shumë e keni dhenë fjalën, votën, vetëm e vetëm pse, ua kanë kërkuar me atë devizën bajate bëje për mua. U duken si frazallogji kur ua themi se djemtë e pallateve me kontribut vullnetar, janë sot milionera. Eshtë fare e kollajtë ta verifikosh një të ardhur përmes borderosë dhe vlerës financiare të pronës a një biznezsi që dikush posedon. Fare, fare e kollajtë. Fare e kollajtë, por mungon thelbësorja, mosdëshira e qëllimtë.
Nuk ka për ta futur në burg Rama, Sali Berishën. Dhe as Sali Berisha, Ramën. Hiqeni nga mendja. Kështu edhe me emrat e tjerë, deri tek presidenti. Sot e djathta po bën opozitarizëm me miellin e propagandës së diktaturës. Miell për petulla. Atë pluhur magjik që rrënoi një front opozitar si Balli Kombëtar dikur. Vetëm me miell nuk na takon të bëjmë pis ambjentin. Qoftë ky edhe në rastin kur simbolizon drogën. O bëjmë opozitë duke hedhur mandatet, o hiç fare.
Nuk është opozitë kjo me vula-vula, gropa-gropa. Kjo është marrëveshje për të shtyrë ditët. E majta është shpërbërë, sado që ca socialistë të vjetër përpiqen t’i rregullojnë xhaketën supeve Edi Ramës, e bëjnë për inat të së vjehërrës. Eshtë në mes stili i murit të dominove. Po u rrëzua njëra, do bjen të gjitha me radhë. Njerëzit që janë më të lumtur në këtë kauzë haberesh nga parlamenti, janë pikërisht këta që akuzohen më shumë.
Përshembull beteja qytetare e Kukësit u sfumua, deri sa ktheu kuvendin në shfaqje me miell e ujë të gazuar. Kërkush nuk do ta kuptojë se konçesione të tipit si ky i Kuksit, janë drejtpërësëdrejti krimi ekonomik. Por kemi ca plagë nga e kaluara, tenderin e rrugës së kombit. Kësisoj betejat palosen në sirtarë. Sado që ne çirremi mbi poshtëristë e këtij, sado që ata çirren mbi poshtërsitë e atij tonit. Nuk ka opozitarizëm me çunin e Fahri Balliut. As me Sali Berishën. Ta mendosh 30 vjet demokraci, dhe akoma Sali Berisha opozitar, shtetar…, është fare e kuptueshme. Berisha ka hallin e çunit të vet, jo të Shqipërisë. Basha, jo e jo…
Tani, kush do hyj në burg? Pa diskutim këto kontingjentet e nënniveleve. Të përdorurit. Me keqardhje, për ato miliona që myken në kllëfa jastëkësh gjumi. Deri sa një ditë, ashtu si edhe thamë për krimet e komunizmit, i bëm se ashtu ishte koha. Kështu do themi edhe për tenderimet. Për pasuritë e grave dhe fëmijëve. Ashtu ishte koha. Si shokët. Dhamë, na dhanë. Ndaj sot jemi të pasur.
Mos u trembi për presidentin. As për Saliun…, për Edi Ramën jo e jo. Në burg po shkon Shqipëria.