Nga Dritan Musta
Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, që pritet të jepet nesër nga Brukseli, i paralajmëruar nga mediat ndërkombëtare, duket se do të jetë një gurthemeli në historinë e re të Shqipërisë.
Kjo jo vetëm sepse do të kurorëzojë përpjekjet e një procesi transformues e reformues në të cilin Shqipëria është përfshirë, por edhe sepse i jep vendit mundësinë që të rifitojë kohën e humbur në krahasim me vendet e tjera.
Shqipëria është vendi i fundit që ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014. Serbia e ka marrë statusin në vitin 2012, Mali i Zi në 2010-n dhe Maqedonia në 2005-n. Kësisoj, me hapjen e negociatave Shqipëria ka shansin të jetë në “lojë” njësoj si të gjitha vendet e tjera, duke rifituar njëherë e mirë kohën e humbur në dekadën e fundit, mes konfliktesh politike të një tranzicioni të stërgjatur.
Sikurse është vlerësuar së fundmi nga mediat ndërkombëtare, kalimi i Shqipëri në avantazh, krahasuar me vendet e rajonit, është atribut i zbatimit të një prej reformave më të guximshme të ndërmarë në vend, asaj në drejtësi. Kjo reformë nuk ka filluar ende në vendet e tjera, ndërkohë që Shqipërisë i ka mundësuar të ndryshojë kursin e udhëtimit drejt integrimit europian.
Pak ditë më parë, media londineze “IntelliNews” i bënte thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që për të përshpejtuar arritjet e tyre në këtë proces, të ndiqnin shembullin e Shqipërisë, së cilës reforma në drejtësi i kishte siguruar vlerësimet më të mëdha nga Bashkimi Europian.
Pikërisht vlerësimi i zyrtarëve europianë si Federica Mogherini për “progresin mbresëlënës të Shqipërisë” janë treguesit që koha e humbur e Shqipërisë po rifitohet, për t’ja lënë vendin shtetit modern.
Në këtë fazë të re ku Shqipëria konkuron pa asnjë diferencë me vendet e tjera, me një set arritjesh në avantazhin e vet, nuk duhet të ketë vend për politikanë që janë gati të inskenojnë konflikt dhe mosdakordësi, në vend që të japin kontributin e tyre, sado minimalist qoftë, në Shqipërinë që shtyhet përherë e më shumë drejt BE-së si një model vlerash.