Më 30 maj 2019, kur opozita e bashkuar kishte djegur mandatet, kryedemokrati Lulzim Basha, zhvilloi një tur takimesh nëpër të gjithë Shqipërinë.
Pasi i kishte rraskapitur demokratët nëpër protesta “Maratonomak”, me stil 360 gradë, ku e niste nga Kryeministria i dilte Tiranës drejt në Linzë e kthehej pas, një ditë shkoi edhe në Laç.
Kryefjala e atyre ditëve ishte koncesioni për rrugën “Milot-Balldren”, të cilën PD dhe opozita e quajtën një aferë korruptive.
Duke e ditur që 30 maji nuk ishte e martë dhe mund t’a prekte “mallkimi” i laçjanëve, por e diel, Lulzim Basha ia lejoi vetes gënjeshtrën.
“Vetëm pak kilometra prej këtej po planifikohet një hajdutëri që ia tejkalon në masa dhë në pacipësi edhe hajnisë kriminale te Unaza e re, 40 milion euro për 2 kilometër.
Tani Milot-Balldren, 260 milion euro për 17 kilometra. Hajdutëri të tillë nuk ka njohur e dëgjuar Europa. Hajdutëri të tillë shohin vetëm vendet ku populli ka mbaruar, ka ulur kokën dhe e ka pranuar të keqen.
Por ne nuk jemi ai lloj vendi. Kjo është një tjetër lloj hajdutërie, është hajdutëria e hajditit që vjedh se nuk ka të nesërme, të marrim ca të marrim të kapim ca të kapim.
Tani dua t’i them ANK-së dhe atyre që fshihen pas ANK-së, çdo banke shqiptare: mos guxo një lopatë të vetme dheu, sepse dheu do e mbulojë turpin e kësaj afere korruptive.
Kjo kontratë do të varroset. Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, do të shkojnë para drejtësisë, ju presin hekurat, ju presin hekurat. Thirri mendjes, nuk i lemë ne fëmijët pa shkollë”, u shpreh kreu i PD.
Sot me Damian Gjiknurin, që e kërcënonte me burg, ka firmosur marrëveshjen për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.