Kryeministri ka mbajtur fjalën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin në BE.
Rama tha se 11 vite pas aplikimit, dhe 6 vite pas marrjes së statusit kandidat “jemi gati të hapim një faqe të re” në procesin e integrimit, teksa pranoi se jemi ende larg.
“Besoj që sot mund të thuhet që jemi në një stad të ri, cka na mbledh këtu në këtë forum, të diktuar edhe nga koha që kalojmë, gjysmë real e gjysmë virtual, njësoj si dhe vetë procesi në fakt, është kuadri negociator, plani i masave për negocimin. 11 vite pas aplikimit të bërë dhe 6 vite pas marrjes së statusit kandidat jemi të gatshëm të hapim këtë faqe të re që si gjithë libri i procesit të integrimit, është një faqe me më shumë detyra, me më shumë sfida, që kërkon më shumë bashkëpunim mes nesh. por një gjë mund të thuhet pa ngurrim.
Kur e shohim procesin përpara jemi ende larg, kur e kthejmë kokën pas e shohim që jemi shumë më afër. Sigurisht që ky është një proces që ne na duhet si drita dhe si uji dhe drita e njeriut. Nuk është një proces që e bëjmë se na e kërkon Brukseli, Berlini apo gjithë bota por sepse e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë”, u shpreh kryeministri teksa u ndal te reforma në drejtësi.
“Një sërë reformash janë në proces duke filluar nga reforma e reformave, reforma në drejtësi, që është një operacion kompleks, i gjatë, me komplikacionet e veta.
Është një sfidë që do na ndjekë deri në fund, deri ditën që do bëhemi anëtarë të BE dhe pasi të bëhemi anëtarë të BE, kjo do jetë në vijim një sfidë.
Nga ana tjetër, krimi dhe korrupsioni, patjetër, janë dy pjesë të një sfide tjetër të rëndësishme. Njësoj si me reformën në drejtësi, edhe në këtë aspekt, rezultatet flasin. Jemi ende larg dhe kemi goxha për të bërë por nëse shohim nga ku jemi nisur, jemi më afër sot nga sa ishim 11 vite më parë.
Jemi në situatën ku me BE dhe vendet e globit po kalojmë një sfidë të madhe, pandeminë që besoj se tregoi se sidoqoftë ne kemi një sistem funksional institucionesh”, tha Rama.