Krimet e Rënda u shkrinë dhe tashmë kemi prokurorinë dhe gjykatat e posaçme, të cilat janë në test për besueshmërinë e publikut. Saimir Tahiri mbeti i pakënaqur nga dënimi me shërbim prove dhe e çoi çështjen në Apel. Të njëjtën gjë bëri edhe prokuroria, e cila këmbëngulte dënimin e tij me 12 vite burg. Dje u mbajt seanca e parafundit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku palët paraqitën argumentet përfundimtare.
Por ajo që ra në sy është se të pranishëm në këtë seancë ishin përfaqësues të ambasadës amerikane. Ndonëse jemi në periudhë pandemie dhe ndalohet publiku në gjykata, ekspertët amerikanë janë lejuar, çka tregon se presioni amerikan ndaj Gjykatës së Apelit po rritet.
Reagon Tahiri
Ndërkohë që Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të vulosë më 24 qershor vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, avokatët e tyre kanë kërkuar pafajësi. Në përfundim të seancës Saimir Tahiri deklaroi se në argumentet e tij për pafajësi dhe të prokurorisë që kërkon dënimin me burg nuk ka ndryshuar asgjë nga përballja në Shkallën e Parë.
Ai tha se vendimin që do të jepet me 24 qershor do ta pranojë, por shtoi se pavarësisht se çfarë do të vendoset, është i pafajshëm. Saimir Tahiri thumboi edhe dy pasardhësit e tij në postin e ministrit të Brendshëm kur tha se detyrën e ka bërë më mirë jo vetëm në krahasim me ata që ishin, por edhe me ata që janë aktualisht, referuar Sandër Lleshajt. Ndërsa duke iu referuar seancave gjyqësore të zhvilluara ndaj tij, Tahiri tha se është një histori komike.
“I keni dëgjuar dhe stërdëgjuar dhe nuk e besoj se ia vlen të zgjatem, ne folëm dhe kjo ishte e fundit, tani do të flasë gjykata. Ato që dini, i keni parë, kështu që nuk ia vlen të zgjatem. Kursejani edhe njerëzve këtë historinë komike të gjyqit tim se është bërë qesharake, se besoj se ka njeri terezi të dëgjojë këto gjëra. Nuk ka ndryshuar asgjë, ne dhe ata të njëjtat gjëra. Do ta pranoj pa asnjë diskutim. Do ta pranoj si një vendim gjykate. Sa të drejtë do e quaj apo jo të shoh vendimin e të flas. Unë di raportin tim me të drejtën dhe të vërtetën.
Jam i vetmi që lash mandatin për t’u përballuar si qytetar i thjeshtë me drejtësinë jo si deputet. Mund të vija si deputet dhe të enjten në Kuvend të bëja ndonjë rrëmujë, sikur kanë bërë të tjerët përpara meje. Besoj te drejtësia, por nuk ka rëndësi për mua nëse do të vijë drejtësia nga gjykata apo është drejtësia që besoj unë”, tha Tahiri.
Rikthimi në politikë
I pyetur a do rikthehet në politikë, Tahiri tha se nuk ka ikur dhe se nuk e tundon politika. “Saimir Tahiri nuk ka ikur, kjo historia e politikës nuk më tundon sikur nuk më ka tunduar kur ika nga deputet për t’u përballuar me drejtësinë. Kështu që kur s’më detyroi detyra që bëja si deputet, sigurisht që nuk e bën dot ti. Vendimin do ta pranoj pa asnjë diskutim, si një vendim gjykate, që është për t’u pranuar dhe zbatuar, sa të drejtë apo jo, të shoh vendimin dhe të flas. Unë di raportin tim me të drejtën dhe kjo nuk kalon as nga prokuroria dhe as nga gjykata. Çmimi i jetës sime nuk kalon nga çmimi i karrierës së tyre (prokurorëve dhe gjyqtarëve)”, tha Tahiri.