Reforma në drejtësi prej disa ditësh po përballet me sulme nga opozita. Këtë të enjte Parlamenti pritet të votojë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa sinjalet janë dhënë se PD e LSI nuk do japin konsensus për kandidaturat. Këto dy parti prej disa ditësh kanë nisur një sulm frontal, duke akuzuar mazhorancën se po tenton të kapë KLP dhe KLGJ dhe po anashkalon ndërkombëtarët. Po ashtu këto dy parti kanë sulmuar fort Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. Sipas tyre, PS po përdor Genci Gjonçajn për të përzgjedhur ajo anëtarët. Por si qëndron e vërteta? Kush e ka fajin për skemën që përdoret sot për përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ e KLP? Nëse analizohen të gjitha faktet, rezulton se PD-LSI janë partitë përgjegjëse për situatën e tanishme. Sot ka mjaft pushtet Sekretari i Përgjithshëm, pasi është ai që dërgon emrat në komision dhe opozita ka shfaqur pakënaqësi. Mirëpo nëse kthehemi pas në kohë, e konkretisht më 21 korrik 2016, rezulton se ishin këto dy parti që e propozuan një skemë të tillë. Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, në draftin që i shkoi Kuvendit më 21 Korrik, mazhoranca dhe OPDAT me EURALIUS propozonin një skemë tjetër.
Aty propozohej që kandidatët për KLGJ e KLP të zgjidhen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Kuvendi të mos kishte lidhje. Mirëpo PD dhe LSI në atë kohë këmbëngulnin për një komision ad hoc me 5 anëtarë dhe pas shumë debatesh dhe lufte mazhorancë opozitë dhe kërcënimesh nga Ilir Meta, socialistët pranuan skemë e propozuar nga demokratët, ndërkohë që LSI e kishte dhënë më herët dakordësinë. Po ashtu në propozimet që PD dhe LSI paraqitën, i jepej një rol jashtëzakonisht i madh Sekretarit të Kuvendit, pasi përzgjedhja e emrave ishte në dorë të tij dhe kjo gjë shkaktoi debate në atë kohë, pasi Ilir Meta ishte kryetar i Kuvendit dhe emrat ishin në dorë të tij. Por ngjarjet e ditëve të fundit kanë nxjerr në pah se kemi pasur një bashkëpunim Meta-Berisha-Basha më 21 Korrik që emrat e KLGJ dhe KLP të ishin në dorë të tyre. Meta kishte drejtimin e Kuvendit dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Plani ishte që KLGJ e KLP të ngriheshin që në 2016, por kjo nuk ndodhi dhe më vonë plani ra, pasi Meta u largua nga posti i kryetarit të Kuvendit. Kjo tregon dhe se përse tani këto dy parti, edhe pse e propozuan një skemë të tillë, e sulmojnë. Pra duket qartë se skema Meta-Berisha për kapjen e organeve të drejtësisë ra dhe kjo ka alarmuar në maksimum opozitën. KLGJ e KLP ngrenë SPAK dhe kjo është ajo që i ka trembur më shumë.
Roli i ndërkombëtarëve
Ditët e fundit është hapur dhe një debat sa i takon rolit të ndërkombëtarëve. LSI është ankuar jashtë mase se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk ka miratuar kandidatët e propozuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Por nëse kthehemi sërish në kohë, ishte LSI partia që solli nxjerrjen jashtë loje të ndërkombëtarëve. Të gjithë i mbajnë mend deklaratat bombastike të LSI, kur deklaronte se Shqipëria nuk mund ta shesë sovranitetin. Po sipas ligjeve, mazhoranca ra dakord fillimisht që ONM të kishte rol vendimtar dhe ajo të kishte anëtarët e saj në komisionet përzgjedhëse, sidomos në veting. Por LSI dhe PD e kundërshtuan fort dhe u vendos në fund që ONM të ketë rol vëzhgues dhe jo vendimmarrës. Ishin po PD-LSI që e hoqën nga Kushtetuta rolin vendimmarrës të ONM, ndërsa tani akuzojnë mazhorancën. Pra duket qartë se përse po sulmohet reforma në drejtësi.