Ka zgjatur plot katër orë takimi i parë dypalësh mes delegacioneve të nivelit të lartë të Shqipërisë dhe Greqisë në Korçë.
Ministrat e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias po qëndrojnë këtë fundjavë në qytetin juglindor, për të biseduar për tema me rëndësi historike mes dy vende si ligji i luftës, pakti detar, por dhe çështje të aktualitetit për t’i dhënë zgjidhje problematikeve të emigranteve tanë që jetojnë në Greqi siç është çështja e lejeve të drejtimit apo e pensioneve.
Në paketë palët kanë konfirmuar që është dhe trajtimi i çështjes së pronave të shqiptareve dhe siç kishte paralajmëruar ministri i Jashtëm edhe çështja çame.
Por palët kanë qenë të rezervuara se çfarë po bisedohet konkretisht dhe nëse do të kemi ndonjë konkluzion konkret. E vetmja gjë që konfirmohet është fryma pozitive.
Aq sa të dy ministrat në fund të takimit të ditës parë shëtitën më këmbë në qendër të Korçës, ndaluan gjatë te mësonjëtorja e parë shqipe dhe pasi vizituan Pazarin e Korçës u ulën për të ngrënë darkë.
Së bashku do të vizitojnë muzeun e mesjetës në deklarata e dy ministrave sipas variantit te Kretës pritet të dielën.
Kjo frymë pozitive siç duket po i paraprin edhe një takimi të nivelit të lartë që pritet mes dy kryeministrave që pritet në pranverë
FOTOT/ Bushati- Kotzias sot në Korçë, policia ‘rrethon’ hotelin ku do zhvillohet takimi
Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, do ta takohen sot në Korçë si vijim i takimit të Nëntorit në Kretë për zgjidhjen e problemeve dypalëshe mes vendeve.
Takimi do të nisë sot në një nga hotelet luksoze e Korçës dhe do të zgjasë tre ditë.
Siç duket edhe nga fotot e dërguara nga gazetarja e Panorama Dhorjeta Cule, që në mëngjes në qytetin juglindor janë parë forca të shumta policie, ndërkohë që patrulla ka edhe pranë hotelit.
TAKIMI I NENTORIT
Bisedimet treditore mes Shqipërisë dhe Greqisë të zhvilluara në mes të nëntorit nuk prodhuan një marrëveshje konkrete për çështjet e pazgjidhura, por fryma me të cilat ato u zhvilluan, rrisin gjasat që të ketë rezultat, shkruan “Panorama”.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, në përmbyllje të bisedimeve mes tyre dhe stafeve shoqëruese në Kretë, dolën me një deklaratë të përbashkët ku u pranua se diskutimet u zhvilluan “në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke u kryer një punë substanciale”.
“Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive, duke u mbështetur në vlerat dhe normat europiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Për herë të parë pas shumë kohësh, shefat e diplomacisë së dy vendeve u ulën për të diskutuar të gjitha temat që shqetësojnë dhe vijojnë të mbajnë pezull marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë. Një nga çështjet më delikate është edhe marrëveshja e detit, e cila, pas miratimit të përbashkët të qeverisë shqiptare dhe asaj greke, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
TAKIMI
Gjatë diskutimeve treditore që u zhvilluan në ishullin e Kretës, palët iu rikthyen diskutimeve për marrëveshjen e detit të firmosur në vitin 2009. Burimet bëjnë me dije se kreu i diplomacisë greke ka shprehur angazhimin e qeverisë së tij për një formulim të ri të marrëveshjes së detit, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese në Shqipëri për rrëzimin e saj.
Referimi që duket se do të kënaqë të dyja palët në këtë rast, duket se do të jetë e drejta ndërkombëtare, mbi të cilën do të diskutohet së shpejti në Tiranë. Sa i takon çështjes çame, pala greke mësohet të ketë kërkuar që të ketë një diskutim të mëvonshëm, pasi dëshiron që palët të mos kenë ngarkesa negative në të dyja shtetet.
Sa u takon teksteve shkollore, pala greke ka kërkuar që të hiqen përkufizimet mbi Çamërinë, ndërsa pala shqiptare kërkon të hiqen referimet negative. Në këtë takim, ministri Bushati i ka kërkuar homologut grek heqjen e ligjit të luftës, ndërkohë që Kotzias ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë.
DISKUTIMET
Sipas deklaratës zyrtare të dy ministrive, “bisedimet përbënë një hap i rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese dhe ato që vijojnë prej një kohe të gjatë”.
Për këtë arsye, dy shefat e diplomacisë kanë rënë dakord të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkretë përpara.
Për të treguar se takimi i zhvilluar në Kretë ishte tepër miqësor, ministri i Punëve të Jashtme në Greqi, Nikos Kotzias, ka shoqëruar me avionin e tij ministrin e Jashtëm, Ditmir Buashati, në Tiranë, ku edhe kanë drekuar në Aeroportin e Rinasit.