Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi zbardhi dje të vërtetat e ngjarjes së 21 janarit, ku u vranë 4 persona në bulevard gjatë një proteste. Teksa sot shënohet edhe 7-vjetori i ngjarjes, Fatos Klosi tregoi për gazetën “SOT” se gjatë asaj dite ka qenë edhe vetë i pranishëm në protestë. Sipas tij, një nga të viktimat është qëlluar shumë pranë tij, ndërsa zbuloi edhe dy përgjegjësit kryesorë për masakrën e ndodhur. Klosi deklaroi se urdhri për të qëlluar mbi turmën është dhënë nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. “Në bulevard kam qenë edhe vetë prezent. Mbas meje është vrarë njëri, dy metra, jo më larg. Nuk guxon kurrë një ushtar i Gardës dhe një komandant i Gardës në mes të bulevardit të qëllojë me armë mbi turmë përveçse nëse urdhri vjen nga lart fare. Ose nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, që ishte Lulzim Basha që bën kaq shumë zhurmë për drejtësinë tani, ose kryeministri i kohës që ai tashmë njihet dhe nuk ka nevojë që të kërkojmë argumente shumë, zoti Berisha. Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë qenë të dy përgjegjës. Le të dalin të dy e të përballen me drejtësinë dhe më pas të shpjegojnë se kush e ka dhënë urdhrin. Ajo është linja e komandimit të Gardës, ku u kërkua të mbajë përgjegjësi komandanti i Gardës dhe mbajti një përgjegjësi qesharake dhe direkt mbi të, që unë jam i sigurt që është dhënë urdhër, është Lulzim Basha dhe mbi më pas është Sali Berisha”, u shpreh ish-kreu i SHISH.
Qëllimet e Berishës
Më tej, Fatos Klosi tregoi edhe qëllimet se pse Sali Berisha u dha këtë urdhër të rëndë punonjësve të Gardës. Ai theksoi se ish-kryeministri gjithmonë dëshironte të mbushte egon e tij me pushtet dhe në rast se pozicioni i tij dhunohej sado pak, atëherë ishte i aftë të bënte gjithçka. “Saliu vuante nga ideja për të treguar që është ai që e bën zap këtë vend. Kjo ishte gjithë ideja. Ju e mbani mend se çfarë përrallash tregonin ata, është qesharake kur i kujton këto gjëra. Kur tregonin që qëlluan mbi turmën sepse turma kishte çadra, stilolapsa, pistoleta. Vetëm nga kjo kuptohet sa e çoroditur është ajo mendje, sa të çoroditura ishin ato ditë. Domethënë, ajo ishte skandaloze sepse u bë atëherë kur praktikisht çdo gjë ishte qetësuar. Ajo ishte vetëm për të demonstruar që unë jam Zoti. Pale pastaj duke njohur Sali Berishën, një herë tha e dua të gjallë ose të vdekur në Tropojë patriotin e tij. Ai njeri dihet që ka përdorur edhe dhunën fort fare, kur i është cenuar sado pak pushtetit, krenaria, etj, çfarëdo që çmon ai”, vijoi më tej Fatos Klosi.
Prapaskenat e ngjarjes
Nga ana tjetër, ish-kreu i SHISH zbuloi edhe prapaskenat e ngjarjes së 21 janarit. Sipas tij, punonjësit e Gardës që ishin të përfshirë në këtë marrëveshje, u mbajtën brenda Kryeministrisë në mënyrë që të mos kishin kontakt me asnjë. Gjithashtu ai shtoi se asnjë gardist nuk mund të qëllojë vetë drejt turmës, vetëm në rast se dikush nga shumë lart i jep një urdhër. “Atje të gjithë ata të Gardës që dinin diçka në lidhje me urdhrat që ishin dhënë, u mbajtën tri ditë brenda Kryeministrisë dhe u mjekuan kush kishte ndonjë problem, në mënyrë që të mos binin në kontakt absolutisht as me gazetarët, as me prokurorët, me kërkënd. Dhe përfundimi qe që u kërkuan të gjendeshin ata njerëz që kishin shtënë dhe kurrkush nuk kërkoi “ore kush jep urdhër për këtë punë?”. Ajo është një çështje vërtet shumë e nxehtë sepse atëherë janë shkelur të gjitha rregullat e procesit hetimor. Domethënë Garda paska qenë institucioni që merrte vetë vendimet për të bërë gjërat, etj. Këto janë broçkulla. Kush e njeh si është linja e komandimit, e kupton që nuk shtihet me armë absolutisht. Në kohën që janë vrarë këta njerëz, nuk kishte njeri mbi Gardë, jo brenda oborrit të Kryeministrisë jo e jo, po as te gardhi nuk kishte njeri. Ishin larguar. Ajo ra si rrufe”, tha ai. Në fund, Fatos Klosi kërkoi që dosja e “21 janarit” të hapet me doemos, në mënyrë që të dalin përballë drejtësisë fajtorët e vërtetë dhe të mos ndalen më tek punonjësit e Gardës.