Me unanimitet të plotë, deputetët anëtarë të Komisionit të Ligjeve kanë miratuar ndryshimin e nenit 64 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ky vendim i hap rrugë hapjes së listave të kandidatëve për deputetë. Tashmë vulën përfundimtare e jep Parlamenti.
Deputetët e opozitës parlamentare dhe të mazhorancës kanë votuar të gjithë pro tek Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit për nismën e opozitës parlamentare në ndryshimet kushtetuese. Tashmë nisma është miratuar në tërësi dhe është puna e relatorëve të nismës që të dërgojnë në Kuvend raportin brenda ditës së sotme.
Jashtë këtyre ndryshimeve kushtetuese ka mbetur pragu zgjedhor, detajet e të cilit do rregullohen brenda Kodit Zgjedhor teksa më 30 korrik votohet në seancë plenare ku kësaj nisme i duhet pikërisht 94 vota.
Në Kushtetutën e ndryshuar ruhet gjithashtu edhe sistemi proporcional rajonal, për të cilin kishte këmbëngulur më herët kryeministri Rama.
Me këtë akt, tashmë do të jetë Parlamenti që do të votojë miratimin e dy ndryshimeve. Nëse këto ndryshime miratohen atëherë Kushtetuta do të specifikojë se koalicionet parazgjedhore janë të ndaluara dhe se listat e kandidatëve për deputetë janë të hapura. Ndërsa për pragun elektoral pritet që sqarimi të bëhet në Kodin Zgjedhor, ndërsa deputetët u dakordësuan për një prag natyral.
Ndryshimet Kushtetuese
Neni 64 ndryshohet si vijon:
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dheprag kombëtar.
2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.
3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”
Neni i riformuluar:
Neni 2
Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si vijon:
“1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.
Këta janë deputetët anëtarë të Komisionit të Ligjeve që pranuan unanimisht të ndryshojnë Kushtetutën për të ndaluar koalicionet parazgjedhore dhe për të hapur listat.
Rudina Hajdari, Andi Përmeti, Myslym Murrizi, Vasilika Hysi, Adnor Shameti, Spartak Braho, Elena Xhina, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Alban Zeneli, Korab Lita, Edjola Braha, Nikolin Staka, Jurgis Çyrbja, Bashkim Fino, Edmond Leka, Edmond Stojku, Aurora Mara, Ermonela Felaj, Fatmir Xhafaj, Ulsi Manja.