Rikthehen përplasjet politike në vend. Javët e fundit u duk sikur kishte rënë qetësia si në Kryeministri, ashtu dhe në Presidencë e selinë blu, por tashmë lufta ka shpërthyer.
Strategjia e mazhorancës për të shkuar te heqja e koalicioneve dhe hapja e listave nuk po mbështetet nga opozita dhe presidenti Meta, i cili dje ka dalë hapur se do të zbresë në fushën e betejës për të mbrojtur shkatërrimin e LSI.
Në 2017, Rama-Basha bënë të njëjtën gjë dhe kjo detyroi Metën që të merrte flamurin e fushatës edhe pse ishte votuar si president. Por teksa pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet duket se po shkojmë te e njëjta situatë. Edhe pse Meta është president, tashmë duket se ka nisur të luftojë për të mos lejuar kapitullimin e LSI, e cila merr goditje të fortë nga skema pa koalicione.
Dje presidenti ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, ku ka kërcënuar me shpërndarje të Parlamentit. “Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar. 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.
Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues. Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor”, ka thënë Meta. Pikërisht fjalia e fundit është kërcënimi i kreut të shteti, i cili disa herë ka thënë se zëvendësimet kanë qenë antiligjore dhe kjo i hap atij oreksin dhe për të realizuar ëndrrën që do e dërgonte pas hekurave: Të marrë vendim që te shpërndarja e Parlamentit.
Nga ana tjetër ka sulmuar mazhorancën duke treguar se qetësia mes tij dhe Ramës ka marrë fund. “Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët”, ka thënë Meta.
Faktet tregojnë qartë se ndryshimet kushtetuese godasin më shumë LSI. PS dje ndryshoi nismën e opozitës duke bërë që të hapen listat vetëm për 2/3 e kandidatëve ndërsa kryetarët do kenë ende dorë për të futur të besuarit e tyre. Pra kjo tregon se gjithë kleçka ka qenë te heqja e koalicioneve. Historia ka treguar se me këtë skemë të vetmet që fitojnë janë dy partitë më të mëdha në vend, ndërsa gjithë pjesa tjetër del e humbur.
Ajo që e vërteton këtë është një krahasim mes rezultateve të 2013 kur palët ishin në koalicione dhe rezultateve të 2017 kur u shkua në zgjedhje pa koalicione. Në 2013 LSI mori 180 mijë vota dhe përmes tyre 16 mandate deputeti. Ndërsa në 2017, mori 228 mijë vota dhe me vështirësi mori 19 mandate deputeti. Nëse shohim PS, në 2013 mori 713 mijë vota dhe 65 mandate, ndërsa në 2017 mori 764 mijë vota dhe 74 mandate. Pra PS me 50 mijë vota më shumë mori gati 10 mandate më shumë.
Ndërsa LSI me po 50 mijë vota më shumë, mori 3 mandate shtesë. PD në 2013 mori 528 mijë vota dhe 50 mandate, ndërsa në 2017 mori shumë më pak vota, 456 mijë dhe mori 43 mandate. Nëse PD do ishte në koalicion do kishte marrë nën 40 mandate. Pra duket qartë se dy partitë e mëdha fitojnë dhe ajo që humbet më shumë është LSI. Kjo duket se ka detyruar presidentin që të marrë shpatën dhe të zbresë në fushëbetejë.